Tirana Night View
Revista prestigjioze “The Economist” ka publikuar në numrin e saj të fundit një artikull prej tetë faqesh mbi Shqipërinë, të cilën e cilëson si “vendin që udhëheq reformat në rajonin e Ballkanit”.
Në artikull përshkruhen disa nga zhvillimet kryesore nga shtatori i vitit 2013, kur qeveria e re mori detyrën, duke u ndalur veçanërisht tek reformat, por edhe mundësitë që ofron Shqipëria në sektorë të ndryshëm.
Dy vite më pas, shkruan “The Economist”, tre reforma ekonomike të rëndësishme kanë nisur të prodhojnë rezultate shumë pozitive, reforma për rikthimin e qëndrueshmërisë makroekonomike dhe fiskale, reforma në energji dhe ajo administrativo-territoriale.
Këto tre reforma mund të jenë ajo çka Shqipëria ka nevojë për bisedime të suksesshme për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Revista ndalet edhe tek ajo çka Shqipëria ofron për investitorët dhe tek klima e biznesit.
“Me një ekonomi tregu në zhvillim, nivel të ulët të taksave dhe fuqinë punëtore të re, mosha mesatare e të cilës është 32 vjeç, të shkolluar dhe konkurruese, Shqipëria është vend shumë tërheqës për investime”, vijon revista, shkruan Tch.
Krahas reformave strukturore gjithëpërfshirëse, qeveria shqiptare është e vendosur të krijojë kushte të favorshme për investitorët në energjinë e rinovueshme, turizëm, agrobiznes, infrastrukturë dhe shërbime, vijon revista.
Por, përveç se udhëheqëse e reformave, “The Economist” nënvizon se Shqipëria po kthehet me shpejtësi edhe në një nga destinacionet më popullore turistike në Ballkanin Perëndimor.
Revista e cilëson vendin tonë si një “thesar të fshehur”, ku mund të gjesh site arkeologjike të harruara, peizazhe spektakolare të maleve të lartë dhe një vijë bregdetare mbresëlënëse që shkrin detin Adriatik me atë Jonian.