Qeveria e Kosovës do të kërkojë nga Kuvendi që të mblidhet javën e ardhshme për të votuar sërish për amendamentin 24 të Kushtetutës, që i hap rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.
Dy liderët e koalicionit qeveritar, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi e kanë marrë përsipër që menjëherë pas kthimit nga vizita në Gjermani të takojnë personalisht secilin deputet të partive të tyre për t’u siguruar se i kanë votat e nevojshme që votimi i radhës të mos dështojë.
Top Channel ka mësuar nga burime brenda qeverisë se Mustafa dhe Thaçi kanë hequr dorë që seanca të thirret në fund të kësaj jave, për shkak të kohës së shkurtër për t’i bindur deputetët e tyre që kanë kundërshtuar formimin e Gjykatës Speciale.
Një zyrtar i lartë i Zyrës së Kryeministrit ka treguar në kushte anonimati se Mustafa dhe Thaçi do të vendosin pas konsultimit me deputetët e tyre edhe për formën sesi do ta thërrasin seancën, pasi riprocedimi i të njëjtit amendament për herë të dytë është përvojë e re në historinë 7-vjeçare të shtetësisë së Kosovës.
Dy aleatët duhet të vendosin nëse seancën do ta thërras personalisht kryeministri, pasi i lejohet me Kushtetutë, apo ajo do të bëhet përmes kërkesës së 40 deputetëve nga koalicioni qeveritar.
Deri në seancën e re, krerët e institucioneve më të larta shtetërore pritet që të takojnë edhe krerët e subjekteve opozitare për të kërkuar mundësinë e bashkëpunimit, për të realizuar detyrimin ndërkombëtar që ka marrë Kosova kur e ka ratifikuar letërkëmbimin mes presidentes Jahjaga dhe shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
Institucionet e Kosovës tanimë e kanë të qartë se nuk kanë asnjë mundësi që të shtyjnë edhe më tej formimin e Gjykatës Speciale, pasi si Shtetet e Bashkuara edhe Bashkimi Evropian kanë konfirmuar se nuk do ta pengonin krijimin e saj nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.