Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë prezantimit të tij në “Croatia Forum 2015”, në Dubrovnik të Kroacisë, është shprehur se Kosova ka nevojë për përkrahje në zhvillimin ekonomik meqë ka shumë vite që ka lënë prapa fazën e krizës.*
Duke folur për përvojën e Kosovës në kuadër të asistencës zhvillimore në periudhën e pasluftës, zëvendëskryeministri Thaçi tha se Kosova ka pasur fatin që ka gëzuar vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare pas viteve të luftës e represionit, gjë që ka ndihmuar në rindërtimin e vendit.
Por, sipas Thaçit, kjo asistencë ka pasur edhe mangësitë e saj, duke përfshirë mungesën e shpeshtë të bashkërendimit mes vet donatorëve.
“Mangësi tjetër ka qenë se kjo asistencë ka qenë shpeshherë e nxitur nga prioritetet e donatorëve, e jo detyrimisht nga nevojat e qytetarëve”, ka theksuar zëvendëskryeministri Thaçi, i cili shtoi se shqetësimet dhe interesat e shprehura nga komuniteti vendor janë qenësore.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri Thaçi u shpreh se Kosova ka nevojë që qasja e bashkësisë ndërkombëtare të ndryshojë ashtu që të përqendrohet në zhvillim e jo në menaxhim krize, tani që Kosova nuk është më zonë krize.
“Ajo për çfarë ka nevojë Kosova është të menduarit se si të bëhen gjërat më mirë”, tha Thaçi, dhe nënvizoi se “zhvillimi është kusht për paqe dhe pajtim”.
Në “Croatia Forum 2015” pjesëmarrësit këtë vit diskutojnë mbi nevojën për të rimenduar asistencën zhvillimore ndërkombëtare në të mirë të zhvillimit dhe paqes së qëndrueshme. Kjo ngjarje e përvitshme mbahet në qytetin kroat të Dubrovnikut dhe në të marrin pjesë ministrat e jashtëm të vendeve më të rëndësishme të rajonit dhe botës.