Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një takim të përbashkët me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministrin e vendit, Isa Mustafa, konfirmon Zyra e Presidentit të Kosovës, përmes një komunikate për medie.
Drejtuesit e tri institucioneve më të larta të vendit,siç thuhet në komunikatë, kanë biseduar për vazhdimin e koordinimit të përbashkët për jetësimin e obligimeve ndërkombëtare që Kosova është zotuar t’i realizojë.
“Në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, ata janë pajtuar që të vazhdohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të përmbyllet demarkacioni me Malin e Zi dhe të punohet për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së presidentit.
Aty gjithashtu është thënë se këta hapa, “përveç që do të mundësojnë përmbylljen e integrimit të plotë të komunitetit serb në institucionet e Kosovës, do t’i hapin rrugë edhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe konsolidimit të mëtejshëm të shtetësisë dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës”.