Dje, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian edhe zyrtarisht janë pajtuar që Miroslav Lajçaku të jetë përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës e Serbisë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili haptas ishte kundër emërimit të tij, ka reaguar duke “e uruar” e duke përkujtuar se ai është kundër Kosovës së pavarur.
“BE-ja zyrtarisht emëroi një të Dërguar Special për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. E uroj për postin e mirë që mori. Por misioni i tij i ri është i destinuar të dështojë për shkak të punës së tij të mëhershme për të ndaluar Sllovakinë ta njohë Kosovën dhe votimin kundër ulëses së Kosovës në UNESCO”, shkruan Thaçi përmes një cicërime në Twitter, raporton KOHA.
Sipas burimeve të Kohës, emërimi i tij pritet të bëhet javën që vjen, pasi të përfundojnë procedurat në Këshillin e Ministrave të BE-së.
Më herët, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pati thënë se Bashkimi Evropian duhet t’i japë peshë politike përfshirjes së vet në dialogun Kosovë-Serbi.
“Duke ulur nivelin dhe përgjegjësinë në një emisar pa kredibilitet, nuk i ndihmon këtij qëllimi”, kishte shkruar Thaçi më 29 shkurt të këtij viti, kur përflitej se Lajçaku do ta marrë këtë post.