Thaçi thotë se në takim me liderët e BE-së kërkoi liberalizimin e vizave

E publikuar: 16/02/2020 22:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka përfunduar takimi i krerëve të Ballkanit Perëndimor me liderë të Bashkimit Evropian. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se aty ka kërkuar liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Ishte një mundësi jashtëzakonisht e mirë që të përfaqësohen interesat e shtetit të Kosovës, të dëgjohet zëri i lidershipit të ri të BE-së për Kosovën dhe për tërë Ballkanin Perëndimor. Shpresoj se një metodologji çfarë është ndjekur dhe që të ndodhë një takim me tre liderët e rinj të BE-së është qasje e drejtë në të kuptuarit e seriozitetit që Ballkani Perëndimor të lëvizë sa më shpejt drejt Evropës. Theksova dy gjëra shumë të rëndësishme, që Kosovës t’i ndodhë liberalizimi i vizave, pasi Kosova ka përmbyllur të gjitha proceset dhe ka realizuar të gjitha kriteret e nevojshme. Mos të vazhdohet me këtë padrejtësi në raport me Kosovën dhe të shkëputet ky raport abstrakt i BE-së me qytetarët e Kosovës dhe institucionet e Kosovës. Kam pyetur hapur se çka duhet të bëjë Kosova që të ndodhë liberalizimi. Përgjigja e BE-së ishte që asgjë më tepër. ‘Keni implementuar kriteret tash është vetëm vendimi i Këshillit Evropian’. Dua të besoj se do të ketë unitet të vendeve të BE-së që të ndodhë liberalizimi”, ka thënë Thaçi pas takimit në deklaratë për gazetarët.

Ai ka thënë se është folur edhe për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi “me mundësi potenciale për arritjen e marrëveshjes përfundimtare”.

“E theksova opinionin e Kosovës për mundësinë që BE-ja e ka diskutuar për një të ngarkuar special për Kosovën. Uroj të mos jetë nivel i ri i punës për ndonjë zyrtar evropian, por nëse ndodh të jetë një i ngarkuar me qëllim, vizion se çka dëshiron e mund ta afrojë Kosovën drejt perspektivës konkrete evropiane. Mbes me shpresë dhe optimizëm që të lëvizin gjërat edhe konkretisht e të mos ketë takime vetëm për të na dëgjuar. Të vijë kush të vije, Kosova është shtet i pavarur e sovran. S’ka asnjë kuptim tjetër”, ka shtuar ai, transmeton Koha.net.

Thaçi ka thënë se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi mund të ndodhë vetëm “me rolin udhëheqës të lidershipit të presidentit amerikan Donald Trump dhe administratës së SHBA-së”.

“S’shoh unitet te vendet e BE-së për Kosovën”, ka shtuar ai.

Për koordinimin e brendshëm institucional në Kosovë, Thaçi ka thënë se duhet të prodhohen argumente që fuqizojnë mbështetjen e SHBA-së për Kosovën e jo aso që e largojnë.

I pyetur se cili është mendimi i Kosovës për Mini-Schengenin Ballkanik, Thaçi ka thënë se Kosova s’ka pse t’i ikë bashkëpunimit rajonal, por ka shtuar se “Kosova do të jetë gjithmonë aty ku trajtohet e barabartë dhe si vend i pavarur e sovran. Në asnjë rrethanë e asnjë çmim s’merr pjesë në ide apo projekt ku trajtohet si vend jo i pavarur”.