Presidenti i zgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se do të punojë me të gjitha forcat politike për të tejkaluar ato që quajti dallime ndërmjet tyre.
Në këtë intervistë ai tha se zgjedhja e tij, që u përcoll me kundërshtimet e opozitës, ka ndodhur në pajtim me Kushtetutën e ligjet e vendit, ndërsa mohoi të ketë bërë lëshime ndaj përfaqësuesve të komunitetit serb në këmbim të votës së tyre. Ai tha po ashtu se në Kosovë nuk ka asnjë mëdyshje rreth ngritjes së Gjykatës së Posaçme për krime lufte.
“Kosova ka kryer një provim të ri, me sukses të plotë. Ka dhënë një provim të jashtëzakonshëm, demokratik, kushtetues, ligjor, transparent dhe politikisht korrekt, në një proces gjithëpërfshirës, participues, prandaj është koha që të gjithë, pa dallime etnike, pa dallime politike, të vazhdojmë të punojmë bashkërisht në prioritetet tona të ardhshme në konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë. Dhe kjo është edhe detyra ime, do të jetë edhe shërbimi im si president i zgjedhur i Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

















