Pas takimit me emisarin e Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se është koha që të hidhet në tavolinë mundësia për njohje reciproke, që sipas tij duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes, pastaj sipas tij çështje të tjera vijnë me lehtë dhe jo të vazhdohet me çështje teknike qe janë diskutuar më herët.
“Mund të konkludoj se bashkëbisedimi ynë dhe takimi ka qenë një takim korrekt, konstruktiv, bisedë e hapur dhe miqësore në drejtimin e gjetjes se mundësive për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, që do të nënkuptonte njohjen reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, tha ai.
“Vazhdoj të besoj fuqishëm se e ardhmja e vetme e Kosovës është të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së, dhe në ketë drejtim BE natyrisht duhet të lëvizë sa më shpejtë në çështjen e liberalizimit të vizave, meqë është vonuar shume dhe po bëhet padrejtësi e madhe për qytetarët e Kosovës”, tha Thaçi.