Thaçi synon të “imponojë” një qeveri tjetër

E publikuar: 13/04/2020 08:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do t’i japë përgjigje presidentit Thaçi për çështjen e mandatarit, nëpërmjet së cilës synohet të shmangen shkeljet kushtetuese. Por, në VV nuk kanë treguar se kur do t’i përgjigjen presidentit, teksa kanë përmendur ballafaqimin me pandeminë ndaj koronavirusit.

Njohës të Kushtetutës kanë thënë se në letrën e tretë, presidenti hapur ka shpallur synimin që të imponojë një qeveri tjetër. Sipas tyre, kjo çështje pritet të përfundojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Arlind Manxhuka nga Zyra për informim e VV-së, i ka thënë gazetës se mandatari është çështje që po e konsiderojnë dhe se do të ketë një përgjigje për Thaçin, raporton KOHA.

“Do t’i përgjigjemi në përputhje me Kushtetutën, pa shkaktuar asnjë shkelje. Kjo është çështje që po konsiderohet dhe do të ketë përgjigje nga kryeministri, brenda kuadrit kushtetues, pa lënë pas dore ballafaqimin me pandeminë dhe emergjencën shëndetësore”, ka thënë Manxhuka të dielën.

“Presidenti, mediat dhe opinioni publik do të mbahen të njoftuar për përgjigjen, sapo ajo të jepet, në mënyrë shumë transparente”.

Ndërkaq, në Presidencë nuk kanë treguar se edhe sa kohë do ta presin mandatarin nga partia fituese dhe cilat janë opsionet që synojnë t’i vënë në zbatim.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në “E Diela me Koha Ditore”. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.