Presidenti i vendit, Hashim Thaçi pas homazheve ka deklaruar se sot shënohen dy dekada nga rënia heroike e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij.
“Jemi sot këtu për nderime institucionale, shtetërore, për të vazhduar me manifestime të tjera. Nderimi për rënien heroike por edhe në të njëjtën kohë të përkushtimit tonë për nderimin dhe fuqizimin e shtetit tonë të pavarur dhe Sovran. Një shtet modern i orientimit euroatlantik, i bazuar dhe i ndërtuar mbi vlerat e luftës çlirimtare, të asaj lufte ku bënë pjesë pothuajse një popullatë e tërë. Sot në këtë 20 vjetor të rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari, duhet ndjerë krenar çdo qytetarë për rrugëtimin që kemi pasur, me besim të plotë dhe optimizëm për të ardhmen tonë”, ka thënë Thaçi, raporton Indeksonline.


















