Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci sot gjatë ditës mund t’ia dorëzojë të drejtën për të propozuar mandatarin partisë së dytë të dalë nga zgjedhjet. Gazeta Express merr vesh se pikërisht kjo ka qenë arsyeja e takimit që sot kanë pasur në një hotel të Prishtinës, kreu i LDK’së dhe ai i AAK’së.
I pari i shtetit, Hashim Thaci ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të bëjë veprime kushtetuese drejt krijimit të qeverisë së re.
Pasi që LVV’ja nuk e ka dorëzuar që gati tri javë emrin për mandatarin, këtë të drejtë presidenti i vendit pritet që sot pasdite t’ia kalojë partisë së dytë të dalë nga zgjedhjet e gjashtë tetorit.
Gazeta Express merr vesh se presidenti tashmë i ka pohuar partive që kanë paralajmëruar koalicion se sot mund të dorëzojë të drejtën për mandatarin.
Për këtë arsye gjatë ditës, kreu i LDK’së, Isa Mustafa është takuar me kreun e AAK’së, Ramush Haradinajn në njërin nga hotelet e Prishtinës. Temë kryesore e diskutimti ka qenë cështja e mandatarit dhe formimi i koalicionit.
Partia e Mustafës tashmë ka marrë konfirmim nga Këshilli i partisë për një koalicion me AAK’në, Nismën, AKR’në dhe minoritetet.
“Javën tjetër unë do të ndërmarr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një Qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga Parlamenti, i aftë për të luftuar # COVID19 dhe për t’i shërbyer popullit. Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA dhe BE për Kosovën”, ka shkruar Thaçi, gjatë vikendit.
Vetëvendosje në anën tjetër ka bërë të ditur se në rast se ndodh ky skenar do të drejtohen për interpretim në Gjykatë Kushtetuese.