Thaçi së shpejti në Shtëpinë e Bardhë për takim me nënpresidentin Pence

E publikuar: 28/09/2017 17:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të pritet së shpejti në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti amerikan Michael (Mike) Pence, njoftojnë zyrtarët në Prishtinë.

Thaçi do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, zhvillimin e saj ekonomik dhe integrimin e saj në institucionet euroatlantike, njoftoi zyra e Presidentit të Kosovës në faqen e saj online.

Presidenti Thaçi do të kërkojë edhe përfshirjen e SHBA-së në fazën e fundit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, si garanci për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

Sot, Presidenti i Kosovës u prit në Vatikan nga Papa Françesku. Sipas zyrës së Presidentit të Kosovës, në bisedimet me Papën do të flitej për krijimin e Komisionit mbi të Vërtetën dhe Pajtimin dhe mbi procesin e normalizimit Kosovë-Serbi.