Thaçi priti Veselin dhe Haradinajn, shkak dialogu me Serbinë

E publikuar: 26/03/2018 16:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, si dhe Kryeministrin e Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinajn.

Në këtë takim të përbashkët kanë biseduar për zhvillimet aktuale në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili do të përfundojë me marrëveshje ligjërisht obligative në mes të dy shteteve.

Presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Haradinaj u pajtuan që dialogu i Kosovës me Serbinë është interes nacional i Kosovës, që duhet të bashkojë të gjithë spektrin politik të Kosovës.

Në takim u konkludua për ta krijuar një Grup Punues të gjerë institucional, i cili do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë, për draftimin e Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës./Indeksonline/