Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në një takim pune të dërguarin e posaçëm të kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Koalicionin Global kundër ISIS-it, gjeneralin amerikan, John Allen.
Ata biseduan lidhur me progresin e koalicionit në luftimin e ISIS-it si dhe për hapat që po ndërmarrin shtetet anëtare, ndër të cilat është edhe Kosova.
Zëvendëskryeministri Thaçi u shpreh se Kosova mbetet e përkushtuar dhe e pakompromis në luftimin e terrorizmit dhe se mbetet aktive në Koalicionin kundër ISIS. Thaçi shtoi edhe se Qeveria në Prishtinë ka ndërmarrë disa veprime konkrete për të forcuar porosinë kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Thaçi e njoftoi mysafirin e tij se Kosova, javën që shkoi, mblodhi mbi 200 mysafirë nga mbarë bota për të diskutuar mënyrat për t’u ndihmuar të rinjve në përdorimin e rrjeteve sociale për të luftuar esktremizmin dhe për të promovuar dialogun ndërfetar.
Në anën tjetër, gjenerali amerikan Allen e përgëzoi zëvendëskryeministrin Thaçi për përpjekjet e Kosovës në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm si pjesë e Koalicionit Global kundër ISIS-it.