Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se mbetet i përkushtuar që çështja e të pagjeturve në Kosovë të zbardhet dhe ajo plagë të mbyllet.
Thaçi ka thënë se e përkrahë çdo iniciativë që synon të fuqizojë të drejtat dhe liritë e njeriut, e që lufton abuzimin.
Ky është komenti i tij i plotë:
Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve na kujton edhe një herë dhimbjen që ndiejnë familjarët, por edhe e tërë shoqëria, nga kjo plagë e luftës që ende nuk është mbyllur.
Na kujton edhe përgjegjësinë që e kemi të gjithë, edhe institucionet shtetërore, edhe liderët politikë. E tërë shoqëria duhet të angazhohemi sa më shumë që kjo çështje të mbyllet sa më parë.
Unë mbetem i përkushtuar dhe në çdo instancë vazhdoj të kërkoj që çështja e të pagjeturve në Kosovë të zbardhet, për secilën familje, dhe kjo plagë të mbyllet.
E përkrahi çdo iniciativë, në Kosovë dhe në botë, që synon të fuqizojë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe që lufton praktikat e abuzimit dhe të shkeljes së të drejtave të njeriut që rezultojnë me zhdukjen e personave.
Të gjithë duhet të gëzojnë të drejtën për drejtësi dhe për të ditur.

















