Zv/kryeministri i parë, Hashim Thaçi dhe ministër i Jashtëm i Kosovës, ka thënë për gazetën austriake Der Standard se institucionet edhe pas vendimit janë të përkushtuara që të themelojnë Specialen.
“Ka pasur shumë akuza për situata të paqena dhe shpifje kundër luftës së drejtë të popullit të Kosovës për pavarësi. Ne jemi të vendosur për të pastruar emrin dhe trashëgiminë tonë. Gjykata Speciale është instrumenti ynë për t’i mbyllur një herë e përgjithmonë të gjitha spekulimet dhe akuzat që janë drejtuar ndaj shtetit të Kosovës dhe ndaj atyre që na mbështeten”, ka thënë Thaçi për Der Standard, duke shprehur bindjen se Gjykata Speciale do të themelohet nga institucionet e Kosovës. Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, sipas Thaçit, tash janë duke punuar për të tejkaluar këto detaje dhe për të miratuar draft-ligjin e prezantuar, i cili do t’i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
Kurse, i pyetur për mosvotimin e deputetëve të PDK-së në herën e kaluar, Thaçi ka thënë se në PDK respektohet çdo opinion dhe vendim i deputetëve, por se do të vazhdojnë të flasin me deputetët për t’iu ofruar informacione dhe garanci shtesë në çështjet që ata po i kundërshtojnë. “Ne do të sigurohemi që sa më shpejt projektligji të miratohet në Kuvend. Po ashtu do të evitojmë dhe parandalojmë çdo ndikim nga politika ditore”, ka thënë Thaçi për Der Standard, transmeton KosovaPress.
E përditshmja austriake, Thaçin e ka pyetur edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin ai ka thënë se Kosova është një shembull i bashkëpunimit në një rajon që ka vuajtur mjaft gjatë nga luftërat dhe konfliktet. “Në këtë raund të dialogut, ne presim që të nënshkruajmë marrëveshje për telekomin, energjinë dhe Asociacionin e Komunave”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se asociacioni do të mbështes komunat me shumicë të komunitetit serb që të koordinohen dhe të bashkëpunojnë mes vete. “Asociacioni do të krijohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Ligjet tona tashmë i refe rohen të gjitha dokumenteve kryesore, konventave, përfshirë edhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale”, ka thënë Thaçi për Der Standard. Për këtë të përditshme, ai është shprehur se interesi i Kosovës është përsëri i njëjtë me interesin e bashkësisë ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje, e cila do të akomodojë komunitetet, por edhe për të siguruar, ruajtur dhe fuqizuar paqen dhe stabilitetin.
Ndërkaq, i pyetur për rolin e Austrisë në fushën e telekomunikacionit gjatë bisedimeve me palën serbe, zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se pret që të finalizohet tash kjo marrëveshje dhe më në fund Kosova të marr kodin e vet telefonik. “Austria ka luajtur një rol të rëndësishëm këtu, duke aplikuar në ITU për kod shtetëror, i cili do të përdoret nga Kosova. Austria ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë gjithë këtyre viteve”, ka thënë Thaçi, raporton Der Standard.
Këto marrëveshje, sipas zëvendëskryeministrit Thaçi, janë duke ndihmuar për të ndërtuar besimin dhe për të nxitur pajtimin mes dy shteteve dhe popujve, të Kosovës dhe Serbisë.