Thaçi: Opozita falsifikoi peticionin, një person u nënshkrua 600 herë

E publikuar: 15/11/2015 13:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka vënë në dyshim nënshkrimet që janë mbledhur nga opozita që kundërshtojnë marrëveshjet për Asociacionin dhe Demarkacionin.
Partitë opozitare për 38 ditë kanë mbledhur mbi 200 mijë nënshkrime për të kundërshtuar këto marrëveshje të cilat Kosova i ka pranuar në raport me Serbinë për asociacionin e komunave serbe, dhe për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Zv.kryeministri Thaçi tha për KosovaPress se nëse opozita e procedon peticionin në Kuvend, atëherë do të kërkojnë verifikimin e të gjithë nënshkrimeve.

Këtë veprim, ai thotë se duhet ta bëjnë meqë dyshon se ato nënshkrime mund të jenë të falsifikuara, ku një person ka mundur të nënshkruaj deri në 600 herë.

Nga ana tjetër, opozita shprehet e gatshme që të verifikohen të gjithë nënshkrimet e qytetarëve në peticionin kundër Asociacionit dhe Demarkacionit, sepse janë të bindur se nuk ka falsifikime.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i tha KosovaPress-it se vetëm ata që duan ta zhvlerësojnë numrin kaq të madh të nënshkrimeve në këtë peticion dyshojnë se nënshkrimet janë falsifikuar.

Ndërsa shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, tha për KosovaPress se është e turpshme që të nënvlerësohet vullneti i qytetarëve të Kosovës, me qëllimin e vetëm që Qeveria të mbrojë “Zajednicën”, në vend se të respektoj vullnetin e qytetarëve të Kosovës, në këtë rast të konfirmuar edhe përmes sjelljes së 200 mijë nënshkrimeve.

Ajo tha se ky peticion do t’iu drejtohet dhe dërgohet tek të gjitha institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare.

Opozita, jo vetëm me peticion, por edhe përmes bllokimit të punës së Kuvendit, aksioneve ku po gjuhen ministrat dhe zëvendësministrat me vezë dhe debateve të ashpra, po vazhdon ta kundërshtoj marrëveshjen për Asociacionin dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi.