“Thaçi nuk është figurë unifikuese për president”

E publikuar: 12/12/2015 00:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka shumë elemente për zgjedhjen e presidentit/tes në Kosovë, sipas deputetit Arben Gashit, ai thotë se ndoshta do të respektohet marrëveshja e koalicionit, në të cilën parashihet zgjedhja e Hashim Thaçit president. Por Gashi në Interaktiv të KTV-së, tha se Thaçi nuk është zgjedhja më e mirë për president.

“Ai nuk është figurë unifikuese. Ka pasë shumë vështirësi që të takohet me akterë të jashtëm, është parë për lobimin në UNESCO. Kjo nuk ka të bëj me Thaçin si person, por si personalitet politik”, tha Gashi, duke folur edhe për Presidenten Jahjaga e cila, sipas Gashit, e ka ruajtur figurën unifikuese dhe të paanshme, transmeton Koha.net.

Në rrafshin e funksionimit të Kuvendit, ai tha se pakicat me 20 vende të rezervuara, prishin mekanizmin e vendimarrjes në Kuvend.

“Nuk ka zgjidhje tjetër, duhet vetëm të ulen në tavolinën e bisedimeve”, ka thënë Gashi për negocimin e opozitës dhe pozitës, duke thënë se dhuna nuk është zgjidhje në asnjë moment. Presioni mbi kryeministrin ka rënë, sipas Gashit, ngaqë ai e ka bërë ftesën, edhe pse të vonuar.

Si rezultat i prishjes së marrëveshjes së VLAN-it, klima e besimit mes partive ka rënë sipas Gashit.