Thaçi: Nuk do të lejojmë përsëritjen e ’97-ës së Shqipërisë

E publikuar: 18/10/2015 21:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Numri një i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk do të ketë as tërheqje nënshkrimesh e as zgjedhje të parakohshme.

Në një paraqitje televizive, Thaçi ka shprehur bindjen se “opozitës nuk i interesojnë marrëveshjet, por po protestojnë e po bëjnë teatër për interesa politike”.

“Zmbrapsje nuk do të ketë. Ne nuk do të lejojmë që të djegin Kuvendin e Kosovës e as ta sulmojnë Policinë e Kosovës. Nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme e as zgjerim të koalicionit”, ka thënë Thaçi, teksa ka shtuar se sjelljet e fundit të opozitës, janë si pasojë e “ballafaqimit të tyre me realitetin politik në Kosovë”.

“Askush nuk mund të pretendojë ta zaptojë pushtetin. Pse ata nuk janë në pushtet, duhet ta pyesin vetveten, sepse janë në kundërshtim me parimet, vlerat dhe standardet e demokracisë. Qasja e tyre në mungesë të argumenteve; janë gazi lotsjellës, gurët, sulmi ndaj institucioneve, sulmet fizike ndaj deputetëve; janë shufrat metalike dhe armët në Kuvend”, ka thënë Thaçi në televizionin publik.

Zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi ka deklaruar se ka pasur deputetë nga opozita të cilët e kanë kontaktuar për t’i treguar se nuk pajtohen me veprimet e shefave të tyre.

“Nuk do të lejojmë të përsëritet viti 1997 i Shqipërisë në Kosovë”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka folur edhe për Presidencë, teksa ka shprehur bindjen se ai do të jetë në krye të shtetit në vitin e ardhshëm.
“Do të jem president vendi, ashtu siç e parasheh marrëveshja mes koalicionit PDK-LDK. Secili që ka 30 nënshkrime mund të kandidojë”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se këtë të drejtë e ka edhe Atifete Jahjaga.