Presidenti i vendit, Hashim Thaçi përmes një konferencë për media ka thënë se ka dekretuar Avdullah Hotin, kryeministër të Kosovës.
“Pas letrave që i kam dërguar LDK-së, sot kam marrë një letër kreu i kësaj partie, Isa Mustafa i cili konfirmon se mbështet të gjitha kriteret mbizotërues për qeverinë e re duke siguruar votat e nevojshme në Kuvend”, ka thënë Thaçi.
“Në demokraci ndodhin dallime, dallimet politike në mes nesh janë një veçori për një demokraci të pjekur. Këto dallime nuk duhet të shihen si justifikim për cenimin apo dëmtimin e Kosovës”, thekson ai.
Thaçi ka deklaruar se mocioni i mosbesimit ka qenë legjitim dhe pas shkarkimit të qeverisë, do të veprojë sipas kushtetutës për qeverinë e re.
“Në këtë kohë, mocioni i mosbesimit ndodhi me 2/3 e deputetëve. Në bazë të mandatit kushtetues, do të përpiqem që të veproj kundrejt situatës. Veprimi i mocionit ka qenë legjitim dhe me përputhshmëri me rendin kushtetues”, ka thënë presidenti.
Më tej ka folur për situatën pandemike në vendin tonë.
“Kosova po përballet me COVID19, e cila na ka bërë të gjithëve bashkë. Shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë, policët, mjekët, infermierët, FSK, e gjithë ata që janë përkujdesur në shërbim të qytetarëve”, thekson Thaçi.
Sipas dekretit të nënshkruar nga presidenti, Hoti i propozohet Kuvendit të Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Kosovës.
“Kandidati nga pika 1 e këtij Dekreti, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, i paraqet Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin e Kuvendit”, thuhet në dekret.