Dy të parët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë takuar strukturat organizative të PDK-së në Skenderaj.
Në qytetin bastion të Thaçit, ashtu siç edhe e konsideroi ai vet në fjalimin e tij që PDK është lëvizje gjithëqytetare, zëvendëskryeministri është pyetur nëpërmes grafiteve se ku është Sami Lushtaku, transmeton Koha.net. Thaçi gjatë fjalimit tha se ndjenë mungesë për Sami Lushtakun dhe Sylejman Selimi, transmeton Koha.net.
Por ai nuk la pa dhënë edhe mesazh politik në nivel nacional.
“Edhe sonte këtu nga Skenderaj, lë të dërgojmë mesazhet e dialogut politik, të mirëkuptimit, të tolerancës, sepse nëse dialogojmë me lidershipin e vendeve fqinje pse të mos dialogojmë me njëri-tjetrin, për çështje që janë në interes të përbashkët”, tha Thaçi.
Ndërsa kryeparlamentari dhe zëvendësi i Thaçit në PDK, Kadri Veseli i uroj aktivistët e PDK-së për zgjedhjen e shpejtë të Hashim Thaçit, President i Republikës, duke siguruar se ky proces do të përmbyllet brenda pak ditësh. Ai theksoi se Skenderaj dhe Drenica i ka dhënë shumë Kosovës, tani do t’i jep edhe Presidentin e Republikës së Kosovës.