Thaçi: Në Kosovë ka anarki opozitare, jo krizë institucionale

E publikuar: 16/02/2016 20:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ë Kosovë nuk ka krizë institucionale, por, siç tha ai, anarki opozitare.

Thaçi tha se zgjedhjet e reja do të mbahen në afatet kushtetuese, pas dy vjetësh, ndërsa zgjedhja e presidentit gjatë muajit shkurt. Ai mohoi zërat se kriza aktuale në Kosovë po shfrytëzohet për të zvarritur ngritjen e Gjykatës së Posaçme për krime lufte.

“Në Kosovë ka anarki opozitare, por jo krizë institucionale, ka veprime arbitrare që e cenojnë dhe rrezikojnë demokracinë dhe të arriturat e Kosovës. Por, ne jemi të vendosur si institucione legjitime, legale dhe me një mazhorancë të fuqishme të vazhdojmë reformat e nevojshme, zbatimin e plotë të kritereve të Kopenhagës edhe në ekonomi, politikë dhe legjislacion, të punojmë për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit, të krijojmë një ambient që çdo qytetar të ndihet mirë dhe krenar për të jetuar në Kosovë”, tha Thaçi në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Sipas tij, opozita është duke kërkuar ardhjen në pushtet edhe pa zgjedhje, është duke kërkuar shpërbërjen e parlamentit, por se kur shpërbëhet parlamenti vendoset në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe në afatin e rregullt kushtetues.

“Zgjedhjet do të organizohen në vjeshtën e vitit 2017 ato lokale ,ndërsa të përgjithshmet në qershor të vitit 2018. Vlerësoj që do të ishte me interes që udhëheqësit opozitar të kuptojnë, e para që të distancohen nga dhuna dhe e dyta të vihen në shërbim të përparësive të shtetit që ta forcojmë edhe më tepër dhe në asnjë rrethanë të pretendojmë për të dëmtuar pushtetin e në të njëjtën kohë janë duke e lënduar rëndë shtetin e Kosovës sepse koalicioni ka një mazhorancë të fuqishme dhe nuk është i cenueshëm politikisht prej këtyre veprimeve opozitare, por është duke u lënduar rëndë shteti i Kosovës”, tha Thaçi.