Janë rreth 600 pacientë të shtrirë aktualisht të konfirmuar me Covid-19, të cilët janë të shtrirë në QKUK dhe spitale të tjera regjionale. Prej tyre 40 janë në aparate respiratore, e mbi 300 të tjerë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi. Kështu u tha sot gjatë vizitës së presidentit të vendit në Klinikën Infektive, ku nga marsi janë ofruar mbi 3500 shërbime ambulantore.
Hashim Thaçi ka vizituar mëngjesin e sotëm stafin shëndetësor të Klinikës Infektive, të IKSHPK-së dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shëndetësore. Kreu i shtetit ka uruar stafin shëndetësor për punën qe po bëjnë tash e sa muaj. Ai këta të fundit i ka quajtur heronj, duke shtuar se do të jetë pranë tyre për të kaluar këtë betejë.
“E di që keni qenë shembull për rajonin dhe më gjerë. Keni marrë veprime shumë të shpejta, të sakta dhe precize. Më vjen mirë qe është një mobilizim i gjithë mjekëve, stafit të mjekësisë këtu dhe gjithashtu edhe në nivel lokal. E kemi biseduar edhe me qeverinë, edhe ministrin e Shëndetësisë, kryeministrin Hoti dhe gjithë të tjerët, të jeni të sigurt që do ta keni përkrahjen e gjitha institucioneve në mënyrë që ta tejkaloni sa më lehte dhe me më pak pasoja”, ka thënë ai.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor të Kosovës, Valbon Krasniqi ka treguar për numrin e personave të cilët janë të shtrirë në QKUK dhe spitale të tjera regjionale. Derisa ka theksuar se janë duke bërë riorganizimin sa i përket nevojës për rritjen e kapaciteteve të shtretërve për të trajtuar personat e infektuar me Covid-19.
Sipas tij, stafi shëndetësor në këtë kohë më së shumti ka nevojë për përkushtim dhe vëmendje të institucioneve.
“Kemi arritur që deri tani të bëjmë riorganizimin në kuptim të asaj që kemi vënë 700 deri në 750 shtretër në dispozicion për pacientët me Covid nëpër spitalet rajonale dhe në klinikat e Qendrës Klinike Universitare. Dhe po ashtu kemi angazhuar një numër të madh të personelit shëndetësor dhe të profileve të tjera që janë duke trajtuar pacientët. Sot në këto momente kemi diku rreth 600 pacientë të shtrirë nëpër klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale. Qoftë të dyshuar ose të konfirmuar me infeksionin Covid, dhe gjendja shëndetësore e tyre vazhdon të mbetet e rëndë. Kemi mbi 40 pacientë që janë në aparate respiratorë, qoftë të intubuar, qoftë me metoda të tjera, dhe kemi mbi 300 pacientë që po trajtohen me oksigjeno-terapi. Nga ky numër tani kemi diku 270 pacientë në klinikat e QKUK-së dhe mbi 330 nëpër spitalet rajonale. Pra kemi ofruar një qasje të regjionalizimit të pacientëve, në mënyrë që pacientët me forma më të lehta të trajtohen në kuadër të spitaleve të tyre rajonale”, ka shtuar Krasniqi.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani ka treguar për gjendjen e rënduar ditëve të fundit. Ai ka bërë thirrje që të respektohen tri masat vendimtare, distanca fizike, mbajtja e maskës dhe higjiena personale.
“Për neve është gjendje alarme të thuhet që të mund të ulin lakoren epidemiologjike. Këtë lakore epidemiologjike do të mund ta ulim duke pasur parasysh të gjitha planet e gatishmërisë të cilat i kemi bërë deri më tani. Dhe të gjitha vendimet që janë marrë nga rekomandimet e Institutit Kombëtar të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës. Dhe me këtë thelbi këtyre vendimeve konsiston në marrjen e masave nga çdo qytetarë i Kosovës. Në mbajtjen e distancës, në vënien e maskave, dhe në mbajtjen e higjienës personale. Të gjitha këto janë vendim i të gjithë neve, pa marrë parasysh ku gjendemi, në çdo cep të Kosovës që t’i ndërmarrim këto masa, sepse janë për të mirën tonë dhe çdo qytetarë e ka për të mirën e vet dhe të afërmve… Deri më tani të evidentuar në data bazë dhe të hulumtuar i kemi 35 mijë raste të gjurmuara, dhe nga këto raste praktikisht mbi 7 mijë raste kanë rezultuar pozitiv, ndërsa 3200 raste janë aktive në Kosovë. Prej të cilave 600 të hospitalizuar”, katheksuar Ramadani.
E, drejtoresha e Klinikës infektive, Lindita Ajazaj-Berisha ka theksuar se kjo klinikë ka organizuar punën rreth Covid-19 që nga 8 shkurti, kur kishin filluar rastet e para të dyshimta, ndërsa nga data 13 janë konfirmuar ato të parat.
“Ne në klinikë deri më tani kemi pasur rreth 3500 raste ambulatore, ku kemi ofruar shërbime në zyrën ambulatore koronavirus, ndërsa kemi pasur rreth 600 raste të spitalizuar në Klinikën Infektive. Duke pasur parasysh që ende vazhdon trendi që në klinikë janë rreth 50 për qind pacientëve që janë spitalizuar në gjithë QKUK-në. Përkundër kësaj pune që është bërë gjashtëmujore, megjithatë ne falë përvojës tonë të epidemive paraprake, kemi pasur një numër më të vogël të stafit të infektuar në kuadër të Klinikës Infektive, dhe kjo na ka ndihmuar shumë që stafi të bart përgjegjësinë për trajtimin e këtyre pacientëve. Duke pasur parasysh që janë pacientë shumë më specifikë dhe kërkojnë trajtim shumë më të veçantë. Ne edhe përkundër punës tonë gjashtëmujore pa pushim fare do të vazhdojmë, jemi bindur dhe të përkushtuar ndaj këtyre të pacientëve”, shtoi ajo.
Infektologu Salih Ahmeti tha se puna me pacientët me Covid është sfiduese për ta, meqë sipas tij është shtuar numri i nevojave për shërbime.
“Një shqetësim i veçantë që neve gjithmonë na ka preokupuar krahas përpjekjeve tona që t’iu ofrojmë shërbime sa më efikase këtyre pacientëve, ka qenë edhe ruajtja e stafit shëndetësor. Por fatkeqësisht ne nuk kemi mundur të bëjmë dallim si edhe gjithë bota, dhe ne kemi pasur infeksione të shpeshta dhe të shumta, dhe të rënda. Dhe fatkeqësisht edhe tri raste në mesin e kolegëve tanë, të cilët kanë përfunduar me vdekje. Kjo sëmundje nuk përjashton asnjë kategori njerëzore, por këto nuk na kanë dëshpëruar, por megjithatë na kanë sensibilizuar “, ka shtuar Ahmeti.
Nga 13 marsi janë konfirmuar 7413 raste me Covid-19, prej tyre 4027 janë shëruar, ndërsa 185 kanë humbur betejën me këtë sëmundje. /kp/