Thaçi në Bullgari: Armiqësitë e popujve të rajonit janë tejkaluar

E publikuar: 01/06/2016 12:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, po merr pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) në Sofje të Bullgarisë, e cila sivjet ishte kryesuese e këtij procesi të rëndësishëm për rajonin tonë.

Me moton “SEECP – 20 vite kyçi i bashkëpunimit rajonal”, shteti bullgar sivjet po e përfundon mandatin e tij si kryesues, derisa ishte po i njëjti që e kishte iniciuar këtë proces në vitin 1996.

Për këtë samit, ku po marrin pjesë gjashtë presidentë të shteteve të Evropës Juglindore, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha se është shumë i rëndësishëm për të diskutuar për hapat e ardhshëm për rajonin, në kontekst të integrimit rajonal dhe të integrimit në BE e NATO, veçanërisht në këto kohë plot sfida për rajonin dhe BE-në.

“Është koha për të ndërtuar mirëbesim në mes nesh, në mes popujve dhe vendeve tona. Na takon neve si liderë politikë të dëshmojnë se kemi tejkaluar armiqësitë e shekullit të kaluar dhe se jemi të përkushtuar të ndërtojmë të ardhme në paqe, stabilitet dhe miqësi. Forumet si SEECP janë platforma ku ne zotohemi se do të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, se do të përkrahim sinqerisht njëri-tjetrin, por edhe tërë rajonin në ndërtimin e të ardhmes më të mirë për të gjithë. Duke ndërtuar bashkëpunim dhe miqësi, ndërtojmë edhe besim që reflekton në tërë shoqëritë tona”, ka thënë ai

Pos Thaçit, në këtë samit po marrin pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ai i Moldavisë, Nicolae Timofti, kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, si dhe i Maqedonisë, George Ivanov.