Tryeza e thirrur nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për reformën zgjedhore dëshmoi edhe njëherë se ai nuk po arrinë të jetë president i unitetit.
Tetë muaj pas zgjedhjes si president i vendit, partitë opozitare vazhdojnë ta kontestojnë zgjedhjen e tij si president i vendit.
Në subjektin më të madh opozitare, thonë se ai nuk e përfaqëson unitetitn e popullit.
Shqipe Pantina, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se Thaçi simbolizon një figurë kontroverse, që nuk e gëzon besimin e qytetarëve të Kosovës.
“Ne sigurisht e kontestojmë dhe do ta kontestojmë, sepse nuk mund ta njohim në krye të një institucioni si ky përgjegjësin kryesor për gjendjen e rëndë ku ndodhet Kosova. Thaçi është përgjegjës për gjitha krizat e shkaktuara kohëve të fundit, e edhe aktualisht, duke qenë nënshkrues i një marrëveshjeje që copëton territorin e Kosovës. Ai që shkakton krizën me synime të caktuara që shkojnë në dëm të shtetësisë së Kosovës, nuk e nxjerr dot vendin nga kriza e as nuk ndihmon në këtë drejtim”, ka thënë Pantina për ‘Indeksonline’.
Thaçi, sipas saj, mbetet figurë jounifikuese, dhe person me veprimtari të dyshimtë si dhe përgjegjës për gjendjen e rëndë politike e socio-ekonomike.
‘Si i tillë, për ne, vendi për të është burgu e assesi posti i Presidentit të Kosovës”,ka shtuar Pantina.
E njohësi i çështjeve politike, Krenar Gashi thotë se e kaluara e tij politike nuk e bën atë të përshtatshëm të luaj rolin e presidentit në kohë krizash politike.
“Kësisoj, Thaçi nuk gëzon një njohje si figure unifikuese nga spektri opozitar dhe e ka të pamundur ta luaj këtë rol. Meqë kompetencat reale të presidentit varen kryesisht nga fuqia politike e personit qe e mban ketë post, Thaçi edhe mund të jete president i suksesshëm në fusha tjera. Por, kur vjen puna tek dialogu politik, tek roli unifikues i skenës politike, nuk besoj qe do të mund ta tejkaloj të kaluarën e tij”, ka thënë Gashi.
Ai thotë se ka qenë e pritur qe ai të mos pranohet si president kosensual për shkak se ka qenë një nga protagonistet më të rëndësishëm politik në Kosovë.
“Duke marre parasysh, në veçanti, aferat e shumta korruptive e keqmenaxhuese të qeverisjes se tij, kundërshtimi ndaj Thaçit president vjen shume natyrshëm për shumë kënd. Megjithatë, mbase pikërisht për këto arsye, Thaçi deri me sot është sjellur goxha në mënyre presidenciale. Përkundër kësaj sjelljeje, vete e kaluara e tij politike nuk e bën atë të përshtatshëm të luaj rolin e presidentit në kohe krizash politike”, ka theksuar Gashi.
Hashim Thaçi është zgjedhur president me votat e koalicionit qeverisës PDK- LDK në mandat pesë vjeçar. Ai ka paralajmëruar se nuk do të kthehet më asnjëherë në postin e kryetarit të PDK-së dhe postin e kryeministrit. Ndërkohë, ka thënë se nëse në të ardhmen zgjedhja e presidentit do të bëhet drejtpërdrejt me votat e qytetarëve të vendit, atëherë ai do të jetë kandidat edhe për një post në krye të këtij institucioni

















