Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se do ta respektojë Kushtetutën e Kosovës sa i përket mandatarit për Qeverinë apo ndonjë hap tjetër, pas letrës që i ka dërguar kreut të VV-së, Albin Kurtit.
Ai në emisionin Open në Top Channel nuk ka dhënë shumë detaje për hapat, por ka lënë të nënkuptohet se do të respektojë kërkesën e partive tjera, përjashto VV-në, se nuk duan zgjedhje.
“Unë do të respektoj në tërësi Kushtetutën dhe ligjet. Tash kemi një Qeveri të shkarkuar nga 85 deputetë, pra dy të tretat e përfaqësuesve legjitim të qytetarëve. Do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet dhe periudhat kohore. Natyrisht zyra ligjore do të mi jap rekomandimet e që do ti prezantoj në të ardhmen”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se është treguar korrekt edhe me Kurtin, pasi ia ka dhënë sërish mundësinë që ta formojë Qeverinë.
“Ia kam dhënë mundësinë që ta formojë shumicën. I ka ditët të punojë me partnerët dhe ta formojë Qeverinë”.
“Unë e kam garantuar edhe zotin Kurtin se do ta respektoj Kushtetutën. Për herë të dytë ia kam dhënë mundësinë. Le ta shfrytëzon”, ka thënë ai.
Thaçi është përgjigjur edhe sa i përket situatës për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ai u pyet nga gazetarja për deklaratat e tij që të mos e respektonin vendimin e Qeverisë për ‘orën policore’. Tha se ‘vërtetua se ishte shkelje’.
“Sot kemi një kryeministër shkelës i rëndë i Kushtetutës”, ka thënë ai.