Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, vendimin e fundit të kryeministrit në detyrë të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurtit, për masa të reja të reciprocitetit ndaj Serbisë po i sheh si vendime të gabueshme strategjike përmes të cilave Kurti po vazhdon mashtrimet e tij patriotike.
Presidenti thotë se masat e reja janë në kundërshtim me qëndrime te SHBA’së dhe BE’së dhe sipas tij e rrezikojnë shtetin dhe atë që është ndërtuar për këto 20 vjet në Kosovë.
“Në përpëlitjet e fundit para se të largohet nga zyra, Kurti po i vazhdon mashtrimet patriotike me vendime strategjikisht të gabueshme. Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada. Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës. HTH”, ka shkruar Thaçi.
Ndaj masave të Kurtit ka reaguar edhe Emisari i BE’së, Miroslav Lajcak, i cili është ndjer i zhgënjyer dhe ka kërkuar heqje të menjëhershme të masave të reja.