Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka akuzuar rënd liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, duke e quajtur si person që ishte kundër UÇK-së, NATO-s, pavarësisë së Kosovës, por që dëmtoi edhe procesin e liberalizimit të vizave.
Duke iu përgjigjur deklaratave të Kurtit i cili ditë më parë e kishte akuzuar se në Gjykatën Speciale ka folur për shokët e tij të luftës, Thaçi tha se lideri i VV-së, nuk ka shokë as të burgut e as të luftës.
“Më vjen keq që Albin Kurti nuk ka as shokë të burgut e as shokë të luftës. Ai nuk ka qenë pjesë e rezistencës as për liri as për pavarësi në përjashtim që është dorëzua autoriteteve të Serbisë dhe ka refuzuar të jetë pjesë e UÇK-së dhe pastaj i është dorëzuar drejtorit të Burgut dhe organizimi i konferencës e mediave për Kurtin në burg në Serbi ku të tjerët i sakatonin dhe i vrisnin në burgje, është i njëjti në shërbim të së keqes. Nuk kam ndonjë opinion, por ka gjithmonë çdo veprim që e ka bërë ka qenë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve dhe veprimet shtetërore. Është një njeri që e ka quajtur NATO-n okupatore, ka qenë kundër shpalljes së pavarësisë dhe ka protestuar dhe e ka dëmtuar edhe procesin e liberalizimit të vizave”, tha ai në Debat Plus të RTV Dukagjinit.