Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se rrjedhja e informatave të klasifikuar mund të shkojnë në dëm të të pandehurve potencialë.
Ai për T7 ka thënë se zhvillimet e fundit sa u përket dosjeve të speciales janë tejet shqetësuese.
“Zhvillimet e fundit ku pretendohet sa ka rrjedhje të informatave të klasifikuara nga këto institucione janë tejet shqetësuese sepse dëmtojnë arsyen kryesore mbi të cilën ishte vendosur zhvendosja e këtyre institucioneve jashtë Kosovës. Po që se vërtetohet se informatat e klasifikuara që kanë rrjedhur janë autentike, pres që autoritetet përkatëse të këtyre institucioneve të kryejnë hetime penale në lidhje me këtë ngjarje dhe që personat përgjegjës për këtë rrjedhje të informatave të klasifikuara, kushdo qofshin ata, të dalin para drejtësisë”, tha Thaçi.
Thaçi kritikon edhe përfshirjen e OVL të UÇK-së në gjithë këtë histori. Sipas presidentit, kjo mund të shkojë në dëm të të akuzuarve potencialë.
“Përfshirja e Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së në këtë çështje – duke keqpërdorur qëndrimin e tyre publik kundër Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – ka rrezik që të shpërqendroj vëmendjen nga nevoja për të hetuar personat përgjegjës për këtë rrjedhje të informatave të klasifikuara”, ka thënë ai.
I pari i shtetit ka ftuar Organizatat e Dala nga Lufta që të ndalojnë publikimin e këtyre dosjeve. Kjo pasi që sipas Thaçit, kjo situatë mund të shkojë në dëme të të pandehurve potencialë.
“Kjo rrjedhje e informatave të klasifikuara mund të paragjykoj procedurat penale që do të mund të zhvillohen atje dhe në dëm të të pandehurve. Kjo për shkak se kjo ngjarje mund të (keq)përdoret si pretekst për kufizuar të drejtat e të pandehurve gjatë procedurës penale, qoftë duke u kufizuar atyre të drejtën e lëvizjes apo duke ju kufizuar atyre të drejtën për të marrë në pyetje në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse dëshmitarët kundër tyre”, ka thënë Thaçi.