Thaçi: Jam i hapur për biseda me serbët rreth ushtrisë

E publikuar: 01/11/2017 11:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Thaçi, në debatin e hapur me shoqërinë civile rreth qëndrimit të komunitetit serb për ushtrinë e Kosovës, ka thënë se vetëm pak vite më parë ka qenë e paimagjinueshme që shqiptarët dhe serbët do të votojnë së bashku, në të gjitha anët e këtij vendi, për përfaqësuesit e tyre në qeveritë komunale dhe vendore.

“Ka qenë e paimagjinueshme edhe që të punojnë së bashku në Kuvend dhe në Qeveri, në polici, në dogana, në administratë tatimore, së fundmi edhe në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kudo në fakt. Vetëm pak muaj më parë, pakkush ka mundur të paramendojë që së bashku me mua, në Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, do të ulen shqiptarët dhe serbët që ende i vuajnë pasojat e luftës në Kosovë, në kërkim të më të dashurve të tyre që janë ende të pagjetur”, ka thënë presidenti Thaçi.

Për më shumë, presidenti Thaçi ka thënë se ata do të shprehen edhe të gatshëm t’i ndihmojnë njëri-tjetrit në shërimin e plagëve të rënda të luftës, dhe në këtë mënyrë, të na ndihmojnë të gjithë neve, Kosovës mbi të gjitha, për të jetuar më qetë, më lehtë, më mirë, së bashku, duke respektuar njeri-tjetrin, duke i bashkuar në një vend, për hir të të gjithë neve, diversitetet etnike, fetare dhe kulturore, që janë pasuri e Kosovës.

“Jam i bindur që kur do t’i bëjmë Forcat e Armatosura të Kosovës, do të shohim që edhe këto forca do të jenë vlerë e përbashkët e të gjithë neve, që shpreh karakterin shumetnik të këtij shteti dhe të shoqërisë kosovare. Edhe sot, ne të gjithë jemi krenarë se në përbërje janë 103 përfaqësues të komunitetit serb që punojnë krah për krah me pjesëtarët tjerë të FSK-së për ta fuqizuar atë dhe për ta bërë të gatshëm transformimin në Forcat e Armatosura të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se oficerët shqiptarë dhe serbë sot gjenden në akademitë më prestigjioze ushtarake botërore, prej West Pointit e tutje, në përgatitje të detyrave të reja që i presin në të ardhmen.

“Jam i vetëdijshëm për shqetësimet mbizotëruese tek politikanët dhe qytetarët serbë për procesin e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka thënë ai.

Presidenti ka shprehur gatishmërinë që vetë të bisedojë, nëse duhet për çdo ditë me politikanët serbë, por edhe me qytetarët serbë të Kosovës, për të shpjeguar pse ne duhet t’i bëjmë Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Dyert e Presidencës së Kosovës janë dhe do të jenë të hapura gjithmonë për të biseduar për këtë temë, por edhe për çdo çështje tjetër që i preokupon politikanët dhe qytetarët serbë të Kosovës”, ka thënë ai.

Thaçi ka shtuar se e di që është thënë, pos tjerash, prej politikanëve dhe qytetarëve serbë që Kosovës nuk i duhen Forcat e Armatosura, pasi që KFOR-i është garant i paqes dhe stabilitetit këndejpari. Por, sipas tij, të gjithë e dinë që KFOR-i nuk mund të qëndrojë përgjithmonë në Kosovë.

“Për më shumë, është interes i KFOR-it dhe i paktit NATO që sa më parë që është e mundur, Kosova të qëndrojë në këmbët e saj edhe në këtë segment të veçantë të sigurisë. Tek e fundit, Forcat e Armatosura do të bëhen në bashkëpunim të plotë me KFOR-in, paktin NATO dhe SHBA-në. Edhe sot si FSK, këto forca duken si forca perëndimore, ato trajnohen si forca perëndimore, dhe më pas, si Forca të Armatosura të Kosovës, ato do të sillen gjithmonë si forca perëndimore, duke respektuar gjithmonë diversitetin etnik të vendit”, ka thënë Thaçi.

Kreu i shtetit ka përmendur edhe vërejtjet e llojit që në vend që ne si Kosovë të harxhojmë dhjetëra milionë euro në Forcat e Armatosura të Kosovës, do të ishte më mirë nëse këto para do t’i dedikoheshin zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies të qytetarëve.

Por, ai ka thënë se nuk mund të ketë as prosperitet ekonomik dhe mirëqenie sociale në një vend, nuk mund të ketë investime nga jashtë, pa ofruar siguri, stabilitet, rend dhe ligj për të gjithë.

“Ky është ndoshta edhe argumenti kryesor për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka thënë ai.

Presidenti i vendit i ka ftuar të gjithë që pa emocione dhe pa paragjykime, jo vetëm në këtë konferencë, por kudo që për këtë do të shprehet vullneti, para se të gjithash në Zyrën e Presidentit, të bisedohet për arsyet e shumta për bërjen e Forcave të Armatosura të Kosovës.