Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës, “Infrakos”, rrezikon t’i humbë të gjitha investimet që kanë ndodhur kohëve të fundit dhe që janë planifikuar, në mungesë të subvencionimit nga Qeveria e Kosovës, e cila edhe obligohet me ligj të hekurudhave.
Këtë problem e ka shpalosur kryeshefi ekzekutiv i “Infrakosit”, Agron Thaçi gjatë një interviste për Ekonomia Online, i cili kërkon nga Qeveria që sa më shpejtë të merren me këtë çështje.
“Nga aspekti i subvencionimit të hekurudhave ne qëndrojmë më dobët dhe ne jemi duke kërkuar vazhdimisht mbështetje nga Qeveria e Kosovës, respektivisht zbatimin e dispozitave ligjore të Ligjit të Hekurudhave të Kosovës për dhënien e financimit në formë të subvencionit në pagesën e kostove direkte. Ne mund të gjendemi në një situatë shumë të vështirë financiare dhe t’i rrezikojmë të gjitha këto investime që po ndodhin kohëve të fundit, dhe të cilat janë planifikuar e sidomos pjesën e donacioneve të parave pa kthim”, shprehet ai.
Ndër të tjerash, Thaçi ka treguar edhe për funksionimin e hekurudhave në përgjithësi, si dhe ka folur edhe rreth funksionimit të linjës hekurudhore të Podujevës, për të cilën premton se brenda dy viteve do të funskionalizohet.
“Ka gatishmëri edhe Komisioni Evropian të na mbështesë në një pjesë si donacion dhe kreditë e caktuara, besoj se me një afat prej dy viteve, unë jam optimist se do të fillojmë edhe me këtë linjë.
Ai ka folur edhe për projektet zhvillimore në infrastrukturën zhvillimore të cilat janë miratuar nga Këshilli Kombëtar për Investime i Republikës së Kosovës.