Thaçi: I ftoj partitë opozitare humbëse të respektojnë vullnetin e popullit

13.02.2016 21:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Thaçi: I ftoj partitë opozitare humbëse të respektojnë vullnetin e popullit

Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht zv.kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, është i bindur se do të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës, madje një President me konsensusin më të gjerë politik, “sa i përket vullnetit të popullit, të përfaqësuar përmes deputetëve në Parlament”. Gjatë një interviste për gazetën “Shqip”, Thaçi nuk e konsideron largim të përkohshëm nga ekzekutivi faktin që po shkon drejt Presidencës, derisa ka ftuar partitë opozitare humbëse që siç tha të respektojnë vullnetin e popullit.
Zoti Thaçi, Presidentes Jahjaga po i mbaron mandati dhe ju jeni kandidati i mazhorancës kosovare. Opozita ndërkaq po përpiqet të pengojë zgjedhjen tuaj nga Parlamenti. Si i komentoni këto qëndrime të opozitës dhe a jeni i sigurt për zgjedhjen tuaj si president i ardhshëm i Kosovës?

Mua më vjen keq që pakica parlamentare nuk tregon respekt për vullnetin e popullit dhe institucionin e demokracisë, duke u përpjekur disa herë rresht të bllokojë me dhunë punimet e Kuvendit të Kosovës. Unë kam respekt për rolin që luan në një demokraci opozita, pasi vetë kam qenë për një kohë të gjatë lider i opozitës dhe e di mirë që sistemi ynë të funksionojë duhet që të ketë konkurrencë politike, si dhe presion të opozitës ndaj qeverisjes. Mirëpo, kjo konkurrencë politike mund të bëhet vetëm nëpërmjet proceseve zgjedhore e jetës parlamentare dhe jo nëpërmjet rrugës dhe dhunës. Prej kohësh janë adresuar dy shqetësimet e opozitës në rrugë institucionale, mirëpo fakti që nuk po i përmend më ato, por po kërkon zgjedhje të parakohshme, ka zbuluar se motivi i vërtetë i protestave të tanishme është marrja e pushtetit nëpërmjet dhunës. Unë kam drejtuar një opozitë parlamentare më të madhe në vota dhe numra deputetësh se kjo e sotmja, mirëpo gjatë gjithë kohës në opozitë kemi luajtur një rol konstruktiv në të gjitha proceset e rëndësishme që kalonte vendi dhe ndryshe nga opozitarët e sotëm kurrsesi nuk kemi vënë në rrezik stabilitetin, imazhin apo marrëdhënien me aleatët e Kosovës për hir të oreksit për pushtet apo hatërmbetjeve banale personale.

Asnjë vend nuk ka luksin që të organizojë zgjedhje të parakohshme, sa herë që udhëheqësit që kanë dështuar në mënyrë të njëpasnjëshme t’i kërkojnë ato, sepse demokracia ka rregullat e saj të mirëpërcaktuara dhe mbështetet te logjika e afateve dhe mandateve kushtetuese. Zgjedhjet e kaluara në Kosovë kanë qenë të lira dhe të ndershme e të pranuara si të tilla si nga palët që morën pjesë ashtu edhe nga monitoruesit e brendshëm e të jashtëm. Unë sërish i ftoj liderët e partive humbëse që të respektojnë vullnetin e popullit dhe po ashtu afatet kushtetuese dhe ta përmbushin në Parlament detyrën që ata kanë para votuesve të tyre dhe para institucioneve shtetërore. Ndërkaq, ata janë më se të lirë që të punojnë dhe bindin publikun se janë të aftë të ofrojnë një vizion më të mirë, modele me të suksesshme qeverie në komunat që drejtojnë, në mënyrë që kur të vijë koha të kenë më shumë sukses në zgjedhjet e rregullta.

Për sa i përket kandidaturës sime, koalicioni që e mbështet këtë kandidaturë është shumë solid dhe përbën shumicën dërrmuese të Parlamentit. Pra, bëhet fjalë për një konsensus të gjerë, për sa i përket vullnetit popullor që përfaqësojnë deputetët e këtij koalicioni dhe është përgjegjësia jonë para votave masive të popullit, si dhe demokracisë që ta përmbushim këtë vullnet nëpërmjet zgjedhjes së Presidentit konform procedurave dhe normave kushtetuese. Ju garantoj se procesi ka për të qenë transparent dhe i besueshëm, duke i siguruar Kosovës një president që përmbush standardet më të larta të legalitetit dhe legjitimitetit. Nuk do të lejojmë askënd që me dhunë të përmbysë rendin tonë kushtetues dhe procedurat demokratike, pasi Kosova e ka hedhur tutje prej 17 vitesh regjimin politik komunist dhe okupator, ku vullneti i popullit tonë nëpërkëmbej. Tanimë jemi rreshtuar në radhën e vendeve që mbështeten te demokracia dhe sundimi i ligjit.

Ju keni fituar tri zgjedhje të njëpasnjëshme parlamentare dhe jeni personi më i votuar në zgjedhjet e kaluara. Pra, keni vota për të pasur shumë më tepër pushtet dhe fuqi vendimmarrëse sesa ka presidenti. A mund të konsiderohet vajtja juaj në Presidencë një largim i parakohshëm nga ekzekutivi dhe politika aktive?

Duke u larguar prej ekzekutivit drejt Presidencës, në kushtet kur kam fituar zgjedhjet, shpresoj të vendos një precedent domethënës dhe të jap një shembull të mirë për politikanët shqiptarë kudo që ndodhen. Fakti që unë si politikan kam numrin më të madh të votave dhe se kandidatura ime gëzon një mbështetje të madhe në Parlament, është një garanci për legjitimitetin tim si Presidenti i ri e popullor i Kosovës dhe do të ma lehtësojë punën në rolin e simbolit unifikues të vendit. Gjithashtu, dua të them se është e vërtetë që presidenti nuk ka pushtetin vendimmarrës të ekzekutivit, por unë besoj se politikani nuk është si administrator kompanie që i vë gjërat në lëvizje me autoritetin e firmës. Për mua, një politikan duhet të jetë udhëheqës dhe jo menaxher, pra të shtyjë vizionin e tij përpara nëpërmjet frymëzimit e jo urdhrit, nëpërmjet sigurimit të konsensusit dhe miratimit të nevojshëm e jo thjesht nëpërmjet autoritetit të hierarkisë apo fuqisë diskrecionale që të jep karrigia. Parë në këtë këndvështrim, unë besoj se kam shumë për të kontribuuar për të ardhmen e Kosovës, sepse Presidenti i Republikës së Kosovës ka një rol të rëndësishëm në konsolidimin e brendshëm të shtetit tonë, në përmirësimin e pozitës ndërkombëtare, në rritjen e nivelit të sigurisë dhe në mbështetjen e reformave të nevojshme që do të na mundësojnë integrimin euroatlantik të Kosovës.

Si do të jenë raportet tuaja me Serbinë dhe mbarë rajonin, duke pasur parasysh që ju keni qenë drejtues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?

Tanimë kjo çështje nuk është gjë e re, pasi pesë vite më parë, kur isha në krye të ekzekutivit, nisa dialogun për çështjet teknike me Serbinë dhe pas një sërë takimesh të nivelit të lartë ne kemi arritur shumë marrëveshje të rëndësishme, të cilat kanë synuar normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona dhe kanë mundësuar konsolidimin e sovranitetit të Kosovës. Falë dialogut kemi mundësuar integrimin e veriut të vendit, shkrirjen e strukturave paralele, përfshirjen e të gjitha segmenteve të shoqërisë sonë në institucionet e Kosovës, si dhe përmirësimin e ndjeshëm të imazhit tonë ndërkombëtar. Falë dialogut, Kosova nuk konsiderohet më si një vatër konflikti, por si një model i kurajës dhe largpamësisë që zgjedh që problemet e së kaluarës t’i zgjidhi në frymën e dialogut dhe mirëkuptimit. Në dialog ne kemi pasur mbështetjen e pakursyer të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe implementimi i marrëveshjeve të nënshkruara kanë pasur një impakt të madh në konsolidimin e shtetit tonë. Në krye të Ministrisë së Jashtme e kam pasur prioritet të kultivoj fqinjësinë e mirë, prandaj vizitat e mia të para në këtë post, si dhe një pjesë e mirë e marrëveshjeve që kam negociuar e nënshkruar në këtë periudhë, kanë qenë pikërisht të dedikuara për rajonin. Për shembull, së fundmi jemi anëtarësuar tek Iniciativa Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë (MARRI) dhe kemi nënshkruar marrëveshjen për qarkullim me letërnjoftime me Maqedoninë. Si president do të vijoj në të njëjtën frymë për të kultivuar një bashkëpunim rajonal sa më të mirë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mundet që gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen të gjitha në Bashkimin Europian dhe në NATO. Po ashtu, do të vazhdoj që ta përkrah dialogun me Serbinë, duke synuar eventualisht që të mundësojmë në një të ardhme jo të largët njohjen reciproke si vende sovrane dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje bilaterale paqeje më Serbinë.

Cilat do të jenë prioritetet tuaja kryesore si president i Republikës së Kosovës?

Angazhimi im i gjatë politik dhe përfshirja si protagonist në zhvillimet më të rëndësishme politike të Kosovës gjatë dy dekadave të fundit më kanë dhënë jo vetëm përvojën dhe përgatitjen e duhur për t’i dalë zot me sukses postit të rëndësishëm të kryetarit të shtetit të Kosovës, por edhe më kanë mësuar se cilat janë nevojat më të mëdha të vendit dhe popullit tim, si dhe cilët janë hapat që duhen bërë për të përshpejtuar integrimin euroatlantik të vendit. Brenda prerogativave kushtetuese që ka presidenti i Kosovës, do të jap maksimumin tim për të avancuar dhe konsoliduar sundimin e ligjit në Kosovë. Përmirësimi i këtij sektori është një ndër kriteret e Kopenhagës, që duhen përmbushur për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian dhe është një ndër parakushtet e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Vendi ynë nuk mund të ecë përpara pa një sistem efikas të drejtësisë dhe me integritet që garanton zbatimin e kontratave, mbrojtjen e pronës private dhe luftën kundër korrupsionit. Si një vend që ka dalë nga lufta dhe duke pasur parasysh zanafillën e karrierës sime politike, konsolidimi i sigurisë së njerëzve dhe i vendit, si dhe mbështetja e procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO, kanë për të qenë një nga prioritetet kryesore në Presidencë. Kushtetuta e Kosovës i jep presidentit jo vetëm detyrën e komandantit të Forcave të Armatosura, por edhe të kryediplomatit, e në këtë aspekt mendoj se përvoja ime e pasur, si dhe kontaktet që kam ndërtuar në vazhdën e shumë viteve, do të më mundësojnë që të luaj një rol të konsiderueshëm në këtë sferë. Si president kam për të punuar në mënyrë intensive që të konsolidohet subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës, të përmirësohet reputacioni i vendit dhe të nxitet tërheqja e investitorëve të huaj dhe promovimi i eksporteve tona. Gjithashtu shoh një mundësi të madhe për të kontribuuar si faktor uniteti, duke punuar për të nxitur kohezionin social në Kosovë, për të shtuar përkujdesjen për barazinë gjinore, për promovimin e të drejtave të grupeve të margjinalizuara si fëmijët apo të moshuarit, si dhe për të kultivuar më tutje harmoninë ndërfetare dhe komunikimet me pakicat etnike e kulturore në vend. Gjithashtu, jam shumë i interesuar që në bashkëpunim me institucionet e tjera të shtetit, të mbështes iniciativat që synojnë përmirësimin e profesionalizmin e administratës dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, duke e vëne theksin tek arsimi në Kosovë./gazetaShqip/

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Murati kritikon Komunën e Prishtinës për transportin publik: Shkelje e plotë e ligjit

Murati kritikon Komunën e Prishtinës për transportin publik: Shkelje e plotë e ligjit

Parlamenti Evropian me mesazh për Kosovën: Përshpejtoni reformat që lidhen me BE-në

Parlamenti Evropian me mesazh për Kosovën: Përshpejtoni reformat që lidhen me BE-në

Trump e quan udhëtimin e G7-ës “sukses të madh”

Trump e quan udhëtimin e G7-ës “sukses të madh”

PE miraton raportin për Shqipërinë, Rama: Rezultati ndan dezinformimin digjital nga realiteti i projektit Vjosë- Nartë

PE miraton raportin për Shqipërinë, Rama: Rezultati ndan dezinformimin digjital nga realiteti i projektit Vjosë- Nartë

Halil Kastrati paralajmëron qytetarët: Po keqpërdoret identiteti im për mashtrime financiare

Halil Kastrati paralajmëron qytetarët: Po keqpërdoret identiteti im për mashtrime financiare

LVV falënderon mërgatën për mbështetjen në zgjedhjet e 7 qershorit: Morëm mbi 75 për qind të votave

LVV falënderon mërgatën për mbështetjen në zgjedhjet e 7 qershorit: Morëm mbi 75 për qind të votave

Dy persona gjobiten me nga 200 euro për hedhje të mbeturinave në vende të papërshtatshme në Ferizaj

Dy persona gjobiten me nga 200 euro për hedhje të mbeturinave në vende të papërshtatshme në Ferizaj

CNN publikon draft-marrëveshjen mes SHBA dhe Iranit

CNN publikon draft-marrëveshjen mes SHBA dhe Iranit

Rama: Kryeqyteti po ecën drejt transportit modern me autobusë elektrikë dhe tramvaj

Rama: Kryeqyteti po ecën drejt transportit modern me autobusë elektrikë dhe tramvaj

Hoti: Kosova po rrezikon të humbasë projekte energjetike dhe investime strategjike

Hoti: Kosova po rrezikon të humbasë projekte energjetike dhe investime strategjike

Kalon me shumicë votash raporti i Terras për Kosovën në Parlament Evropian

Kalon me shumicë votash raporti i Terras për Kosovën në Parlament Evropian

Përfaqësuesi i BERZh-it: Qeveria duhet të dërgojë sinjal të qartë për investimet në energjinë e ripërtëritshme

Përfaqësuesi i BERZh-it: Qeveria duhet të dërgojë sinjal të qartë për investimet në energjinë e ripërtëritshme

Kurti pret në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Barbano

Kurti pret në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Barbano

“Po na ndajnë në ne dhe ata” – Tahiri kritikon qasjen politike të Kurtit

“Po na ndajnë në ne dhe ata” – Tahiri kritikon qasjen politike të Kurtit

Shefi i NATO-s: Lajm i mirë që po zvogëlojmë praninë e trupave në Kosovë

Shefi i NATO-s: Lajm i mirë që po zvogëlojmë praninë e trupave në Kosovë

Bllokada në Kuvend rrezikon humbjen e rreth 60 milionë eurove nga Plani i Rritjes i BE-së

Bllokada në Kuvend rrezikon humbjen e rreth 60 milionë eurove nga Plani i Rritjes i BE-së