Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në mbledhjen e kabinetit qeveritar ka drejtuar një thirrje drejt opozitës, para seancës për ratifikimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, të nënshkruar ditë më parë mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Sipas komunikatës së dërguar nga Qeveria e Kosovës, Thaçi ka kërkuar që opozita të jetë konstruktive në atë seancë dhe se nuk duhet të ketë as gaz lotsjellës e as dhunë, transmeton Koha.net.
Këtë të fundit ai e lidh edhe me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
“Dua të theksoj se sa më tepër gaz lotsjellës që ka në Kuvendin e Kosovës dhe dhunë, aq më e zbehtë do të jetë edhe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës nga partnerët tanë në UNESCO”, ka thënë Thaçi.
Opozita ka paralajmëruar se do të bojkotojë seancën e së hënës, por nuk do ta pengojë atë.