Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka nisur vizitën e tij zyrtare në Paris me një takim me senatorin Alain Richard, përfaqësues i qeverisë franceze për marrëdhëniet ekonomike Francë-Ballkan.
Në këtë takim, duke folur me senatorin Richard për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Francës, zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se kontrata për investime prej 400 milionë euro në qendrën turistike të skijimit në Brezovicë përbën një sinjal të mirë dhe është inkurajim edhe për investitorët e tjerë francezë që të vijnë në Kosovë.
“Kosova është një vend i vogël, por me potencial të madh për zhvillim ekonomik dhe ne po i shqyrtojmë mundësitë dhe mënyrat për të bërë Kosovën më të pranishme në Francë dhe më joshëse edhe për ndërmarrësit potencialë francezë”, u shpreh Thaçi.
Zëvendëskryeministri Thaçi dhe senatori Richard kanë biseduar edhe për modalitetet e absorbimit të fondeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, që ato të bëhen më të lehta dhe më të qasshme për vendet e rajonit, por edhe për përgatitjet e Samitit të Vjenës, që do të mbahet në gusht.
“Projektet që do të prezantohen në Samitin e Vjenës janë projekte që do të sjellin përfitime për rajonin në dekadat e ardhshme”, ka thënë Thaçi.
Në anën tjetër, senatori Alain Richard, i cili ka shërbyer edhe si ministër i Mbrojtjes së Francës në vitet 1997-2002, është shprehur i kënaqur me projektin për Brezovicën dhe është zotuar se do të vazhdojë të promovojë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik mes Francës dhe shteteve të Ballkanit.