Ndonëse s’i është referuar askujt, por presidenti i Kosovës Hashim Thaçi duket se po i çon mesazh kryeministrit Albin Kurti, lidhur me kërkesën e vazhdueshme të SHBA-së për ta hequr taksën.
“I ftoj qytetarët dhe institucionet e Kosovës të jenë të hapura dhe t’i mirëpresin këshillat dhe kërkesat e SHBA-së, sepse kjo miqësi është fat dhe bekim i madh për ne”, është një shkrim në facebook i Thaçit.
Por këtë mesazh, presidenti Thaçi e ka nisur me një shkrim për 288 vjetorin e lindjes së presidentit të parë amerikan, George Washington.
“288 vjet më parë ka lindur George Washington, patrioti dhe drejtuesi i luftës për pavarësi, burrështetasi dhe presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Figurës së tij si një prej themeluesve të SHBA-së dhe si president unifikues më të drejtë i është dhënë epiteti i pashmangshëm si “i pari i luftës, i pari i paqes dhe i pari në zemrat e qytetarëve amerikanë”. Ky personalitet historik ka tejkaluar përmasat amerikane dhe është bërë një referencë fuqiplotë e popujve liridashës. Jemi mirënjohës për rrugëtimin tonë historik drejt lirisë dhe pavarësisë nën mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lidhjet tona me SHBA-në janë shumë më të thella dhe tejkalojnë raportin e thjeshtë politik e institucional mes dy vendeve. Ato janë lidhje shpirtërore e historike të një raporti besimi dhe vlerësimi reciprok, që unifikohet nën parimet e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të patjetërsueshme të qytetarëve”, shkruan Thaçi.
Siç ka dëshmuar historia, thotë tutje presidenti Thaçi, rreshtimi ynë pranë popullit dhe shtetit amerikan i ka prodhuar rezultatet më të mëdha politike dhe historike për Kosovën.
“E kemi obligim që këtë lidhje ta forcojmë edhe më shumë dhe të rrugëtojmë bashkërisht në projeksionet e reja që na presin. I ftoj qytetarët dhe institucionet e Kosovës të jenë të hapura dhe t’i mirëpresin këshillat dhe kërkesat e SHBA-së, sepse kjo miqësi është fat dhe bekim i madh për ne”, përfundon Thaçi.
Kujtojmë dhe njëherë se kërkesë e vazhdueshme e SHBA-së, mbetet heqja e menjëhershme e taksës ndaj Serbisë, megjithatë, Kurti vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet por do të zëvendësohet me reciprocitet.