Thaçi flet me ambasadorët e QUINT’it, u thotë se vendi ka nevojë për Qeveri e mandat të plotë

E publikuar: 15/04/2020 14:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot me ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe përfaqësuesen e BE-së në Kosovë, për të diskutuar për zhvillimet në Kosovë. Përveç për situatën pas përhapjes së koronavirusit, Thaçi ka diskutuar me ambasadorët edhe për situatën politike në vend, raporton Gazeta Express.

Në këtë takim ku të pranishëm ishin ambasadori i SHBA-së, ai i Britanisë së Madhe, i Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, presidenti Thaçi i ka falënderuar të gjitha shtetet për përkrahjen që i kanë dhënë Kosovës në përballje me pandeminë e virusit COVID19 dhe ka shprehur ngushëllime për viktimat në çdo shtet.

“Të gjithë së bashku jemi duke e luftuar pandeminë dhe duhet të bashkëpunojmë të gjithë, në Kosovë, në rajon dhe në botë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti ka folur edhe për zhvillimet politike dhe kërkesat që ia ka drejtuar shefit të Vetëvendosjes, për propozimin e mandatarit.

“Qytetarët e Kosovës kërkojnë dhe kanë nevojë për një qeveri me mandat të plotë, sidomos në rrethanat emergjente të shkaktuara nga pandemia”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se çdo hap që do të ndërmarrë do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, me praktikat e deritashme dhe me vullnetin e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.