
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se i ka votat e partnerëve të koalicionit për t’u zgjedhur President. Këto komente ai i ka bërë të martën pas një vizite së bashku me ish-sekretari i NATO-s, Lordi George Robertson në fshatin Poklek të Drenasit.
Thaçi tha se do të respektohet në tërësi marrëveshja ndërmjet koalicionit të PDK-së, LDK-së dhe gjithë partnerëve të tjerë që përbëjnë koalicionin qeverisës.
“Do të respektohet në përpikëri Kushtetuta dhe ligjet, si dhe të gjitha procedurat, në kuadër të legjitimitetit të plotë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e natyrisht procedurat e nevojshme dhe të domosdoshme legale, prandaj mendojë që në këtë drejtim nuk ka ndonjë dilemë apo dramë”, ka thënë Thaçi duke folur rreth zgjedhjes së presidentit.
Thaçi ka thënë se e kanë mbështetjen e listës serbe për zgjedhjen e President.
“Partnerët janë unik në angazhimet që kanë si të qeverisjes dhe ato në kuadër të përgjegjësive kushtetuese ligjore”, tha Thaçi.
Ai ka vlerësuar se gjithë ky proces do të shkojë në interes të shtetit të Kosovës, qytetarëve dhe së ardhmes euroatlantike të vendit.
“Kështu që gjithë spektri politik do të merr përsipër të gjitha përgjegjësit që ka, dhe në gjithë këto rrjedha të reja politike dhe në kuadër të kësaj kemi dhe stabilitetin e plotë të institucioneve. Ne kemi mandatin e plotë kushtetues-ligjor dhe legjitimitetin e plotë qytetarë, do të punojmë edhe për reforma të ndryshme demokratike në mënyrë që zgjedhjet e lira të ardhshme lokale të mbahen në vjeshtë të vitit 2017 dhe ato të përgjithshme në qershor të vitit 2018”, ka thënë Thaçi.