Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po vlerëson se vetëm me praninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun me Serbinë, do të mund të arrihet një marrëveshje reciproke në mes dy vendeve, duke mos përjashtuar këtu edhe BE-në.
Kreu i shtetit, pas takimit me kryeministrin Hoti, ka theksuar se Kosova nuk duhet të lejojë që procesi i dialogut të “zbres” në nivel teknik, por në njohje reciproke.
“Është me interes që të ndodh ky dialog, sepse vetëm me dialog dhe fqinjësi të mirë Kosova mund të lëviz drejt perspektivës evropiane dhe të qenurit pjesë e Nato-s por në të njëjtën kohë, duhet ta ruajmë dhe forcojmë identitetin tonë shtetërorë dhe të kemi një pikë të diskutimit. Ne duhet të qartësojmë raportin në mes Kosovës dhe Serbisë pra të ndodh njohja reciproke dhe të mos lejojmë që ky proces të zbret në nivel teknik…Pavarësisht diskutimeve që mund të ndodhin në këtë apo në atë qytet aty ku nuk janë ShBA-të jam skeptik që mund të ndodh njohja reciproke, jetike për ne si Kosovë është që në tavolinë të jenë ShBA-të dhe BE”, ka thënë ai.
Të njëjtin mendim ndan edhe kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka theksuar se dialogun duhet ta mbajnë të fokusuar në njohje reciproke.
Hoti shpreson që në muajt e ardhshëm, do të mbyllet ky proces me sukses.
“Ne do të sigurohemi të gjithë së bashku që në asnjë moment dialogu të mos rrëshqas në nivel teknik, por ta mbajmë të fokusuar në objektiven tonë kryesor e që është njohja reciproke…Mendoj që është një momentum shumë i mirë sepse kemi vëmendje të BE-së po edhe të ShBA-ve dhe mbes me shpresë që në muajt e ardhshëm do të përmbyllim këtë proces me sukses”, ka thënë ai.
Pas dy viteve pauzë Kosova dhe Serbia janë kthyer në tavolinën e bisedimeve./kp/