Kosova është shteti i vetëm në rajon i cili ende nuk është anëtar i INTERPOL-it.
Për këtë arsye në konferencën e radhës të INTERPOL-it edhe votimi për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë do të jetë pikë e rendit të ditës, shkruan lajmi.net
Kështu ka bërë të ditur presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se do të kërkojnë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare që të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës.
Thaçi këto komente i bëri pas fjalimit të tij në Konferencën Rajonale Kundër Korrupsionit.
Postimi i plotë i Thaçit pa ndërhyrje:
Bashkëpunimi ndërshtetëror rajonal, sikurse sot përmes Konferencës Rajonale Kundër Korrupsionit, është i domosdoshëm për arritjen e rezultateve më të mëdha në luftimin e kësaj dukurie negative.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit asnjëherë nuk është e lehtë, por ne jemi të vendosur që të ecim përpara. Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë shtuar kapacitetet për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ne jemi shteti i vetëm në rajon që ende nuk është anëtar i Interpolit, prandaj në konferencën e radhës së Interpolit, ku në rend të ditës është edhe votimi për anëtarësimin e Kosovës, kërkojmë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare që të votojnë pro anëtarësimit tonë.


















