Thaçi dhe ministri britanik flasin për Kosovën dhe rajonin

E publikuar: 08/11/2017 15:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Hashim Thaçi, sot ka pritur ministrin për Evropë dhe Amerikë të Britanisë së Madhe, Sir Alan Duncan, me të cilin bisedoi për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.

Thaçi i shprehi mirëseardhje dhe theksoi se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën, për njohjen e Kosovës dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Pavarësia e Kosovës mban edhe vulën e madhe të Londrës”, u shpreh kreu i shtetit të Kosovës.

Ndërsa, Ministri për Evropë dhe Amerikë i Britanisë së Madhe, Sir Alan Duncan, u shpreh se Britania e Madhe mbetet e përkushtuar për rajonin, pavarësisht marrëdhënies së Londrës me Brukselin.

“Dëshirojmë rajon që jeton në paqe e stabilitet”, u shpreh Duncan.

Nga ana e tij, numri një i Kosovës theksoi se Kosova është promovuese e paqes dhe dialogut në rajon, si dhe punon për ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore me të gjithë, përfshirë edhe Serbinë, transmeton Klan Kosova.