Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë për Radio Kosovën se vonesa e Bashkimi Evropian në liberalizimin e vizave për qytetarët është diskriminuese, e padrejtë dhe marrëzi.
Kosova ka kryer më përgjegjësi të lartë kushtetuese e ligjore të gjitha detyrat që dalin nga obligimet për procesin e liberalizimit të vizave. Kështu deklaroi zv.kryeministri i Kosovës dhe ministër i punëve të jashtme Hashim Thaçi në një prononcim për Radio Kosovën, i cili tha se BE po bën vonesë të paarsyeshme për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
Ai tha se kjo vonesë po ndodh, pasi Kosova nuk ka një kartë rezervë politike në këtë proces.
“BE po bën një vonesë të tillë për arsye sepse ne nuk po prezantojmë një kartë rezervë sikurse e bëjnë disa vende të rajonit. qytetarët dhe skena politike e Kosovës ka një qëndrim konsensual dhe të mishëruar për integrim në BE dhe strukturat euroatlantike. ne kemi kryer të gjithë obligimet tona, por është një neglizhencë dhe një paqartësi në qëndrimin e tyre me Kosovën dhe deklaratat se ende nuk ka dalur raporti janë vetëm një farse, se ky proces nuk mund të jetë i fshehtë për qytetarët e Kosovës”, tha ai.
Thaçi tha se në Kosovë po mbesin pa viza vetëm njerëzit pa ndonjë fuqi politike.
“Për fat të mirë, apo të keq, bartësit e institucioneve të gjithë pa dallim, anëtarë të qeverisë, presidenca, deputetët kryetarë të komunave janë të pajisur me viza, ndërsa kush po mbetet pa viza sot në Kosovë, po mbesin studentët, njerëzit e biznesit, njerëzit e thjeshtë, njerëzit që nuk kanë ndonjë fuqi politike”, deklaroi ai.
Në këtë kuadër zvkryeministri Thaçi e sheh të arsyeshme edhe ngritjen e zërit kundër kësaj padrejtësie.” Unë nuk ftojë qytetarët për protestë, por 2 milionë qytetarë të Kosovës pa dallim etnie, politike, religjioni kanë të drejtë të ngrisin zërin e tyre protestues pranë Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë. Shpresa duhet të realizohet me gjëra konkrete, përndryshe ka ardhur fundi në kuptimin e reagimit edhe të qytetarëve por edhe të politikës”, tha zv.kryeministri.
Megjithëkëtë, Thaçi beson se në javët e para të vitit 2016 do të ndodhë rekomandimi për liberalizim të vizave për Kosovën.