Idenë e tij për një deklaratë të deputetëve të shumicës në Kuvendin e Kosovës, Hashim Thaçi e ka justifikuar edhe në një bisedë të shkurtër për KTV-në.
E ka quajtur një “qëndrim politik të Kuvendit të Kosovës se ky institucion është uzurpuar dhe se këtë duhet ta kuptojnë qytetarët e Kosovës”.
“89 deputetë kanë dhënë një përgjigje unanime kundër uzurpimit të Kuvendit”, ka thënë Thaçi, përcjell koha.net. “Kemi obligime për t’i njoftuar qytetarët e Kosovës për krejt çka po ndodh, dhe opozita duhet të flet në Kuvend me argumentet e veta e jo t’i mbyll mikrofonat e të mbajë të uzurpuar sallën e seancave”, ka thënë Thaçi.
Numri një i PDK-së, që njëherësh është edhe zëvendëskryeministër ka thënë se “nuk ka arsye të vazhdohet as edhe për një minutë seanca në sallën alternative”.
Me propozim të Thaçit është krijuar një komision për hartimin e një deklarate e cila do të dënojë “uzurpimin e Kuvendit të Kosovës”.
















