Me të mbërritur në Prishtinë, Action Bronson, mezi priste të shijonte ushqimet tradicionale shqiptare.
Por, përveç flisë e bakllavës, Bronsoni, emri i të cilit është Arian Asllani, e provoi edhe qëndrimin në stacion të policisë kosovare, në cilësinë e të dyshuarit, raporton KTV.
Si një përdorues i rregullt i marihuanës, e legalizuar në disa prej shteteve të Amerikës, një gjë të tillë nuk e fshehu as në Prishtinë.
Madje, siç shihet në video që kanë qarkulluar në rrjete sociale, disa prej ‘jointave’ i ka shpërndarë publikut që ishte në rendet e para.
Dhe, Policia e priti deri sa ai përfundoi pjesën e tij në festival, për ta shoqëruar në stacion, ku qëndroi nga ora 2 deri rreth orës 5 të mëngjesit të së dielës.
“Ju informojmë se mbrëmë në Parkun e Gërmisë, nga njësitë policore është ndaluar personi me inicialet A.B, nën dyshimin se ka poseduar dhe konsumuar substancë narkotike. I njëjti, nën shoqërimin e njësive policore është dërguar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme policore”, thonë nga Policia e Kosovës
Asllani, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është liruar, derisa avokati i tij, Armend Krasniqi, mohon që klienti i tij të ketë bërë ndonjë veprim të kundërligjshëm.
KTV-ja ka kontaktuar edhe me organizatorët e festivalit, por të cilët nuk kanë komentuar lidhur me ngjarjen.
Bronsoni, bashkë me Dua Lipën, ishte një prej artistëve kryesorë të festivalit Sunny Hill, që mbyll edicionin e dytë sonte me performancën kryesore nga DJ i njohur, Martin Garrix.