Tashmë është vetëm çështje orësh që Carlos Tevez të njoftojë zyrtarisht transferimin te Boca Juniors.
“Apashi” e ka marrë vendimin e tij dhe është Juventusi që dihet të lëvizë me shpejtësi për të plotësuar vendin që do të lejë bosh argjentinasi, i cili është takuar në Kili me presidentin e klubit nga Buenos Aires, Angelici. Sipas informacioneve, Tevez do të nënshkruajë për tre sezone me skuadrën e zemrës, duke injoruar opsionet Paris Saint Germain, Aresnal apo Atletico Madrid. Në këtë pikë, Boca Juniors pret dritën jeshile nga Juventusi që kërkon 5 milionë Euro pasi sulmuesi argjentinas ka edhe një vit kontratë me nënkampionët e Europës.
Gjithsesi kjo pengesë mund të kalohet nëse palët bien dakort për transferimin e një prej talenteve të Bocas në Torino. Në këtë mënyrë, Drejtori Sportiv, Beppe Marotta ka nisur punën për të gjetur zëvendësuesin dhe në krye të listës qëndron kroati, Mario Mandzukic. Një tjetër pistë është edhe ajo që të çon te Edinson Cavani, e ardhmja e të cilit është e lidhur me atë të Ibrahimovic pasi një largim i mundshëm i suedezit nga Parisi e bën të pamundur shitjen e uruguaianit.