Teuta Krasniqi: Në dashuri pa kushte, nudot janë pjesë e profesionit

E publikuar: 20/02/2016 11:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aktorja Teuta Krasniqi rrëfen për realizimin e ëndrrës së saj. Ëndërr që mori udhë dje në premierën e filmit “Engjëjt janë larg” në Prishtinë. Bashkëpunimi i aktores nga Kosova me regjisorin shqiptar, Gjergj Xhuvani, ka qenë për të një përvojë shumë e mirë. Ndërsa nëpërmjet rolit që përfaqëson, femrën gjatë luftës së Kosovës, mendon se përzgjedhja e saj si protagoniste, nuk ka qenë krejt rastësore. Emocionet e përjetuara gjatë xhirimeve, e kanë ndihmuar shumë në këtë realizim. Por, Teuta nuk ndalet me kaq, komentet për skenat nudo në film i quan banale. Për të, ajo skenë është mishëruar aq mirë brendapërbrenda filmit saqë arsyeton gjithçka. Nëpërmjet asaj skene i bëhet një lloj pastrimi shpirtit të personazhit në film. Teuta dhe pse është përfolur shumë pas ndarjes me këngëtarin Blero, aktualisht është në një lidhje dhe ndihet e plotësuar në jetën e saj private. Çdo ditë përjeton ditë të lumtura dhe të mbushura me dashuri, mbi të gjitha me përkrahje të pakushtëzuar në të gjitha drejtimet.

Teuta ti je protagonistja e filmit “Engjëjt janë larg” me regji të Xhuvanit. Çmund të na thuash për këtë?

Filmi flet për ngjarjen e luftës në Kosovë. Në të prezantohet periudha e bombardimeve. Është një zhvillim shumë dramatik për filmin, por dhe për lirinë e Kosovës. Mirëpo ajo çka vjen ndryshe në këtë film është se lufta paraqitet më shumë nëpërmjet syve të fëmijëve dhe njerëzve. Në plan të parë paraqitet fati i personazheve gjatë periudhës së luftës.

Si ndihesh, që ke qenë e përzgjedhura e regjisorit Gjergj Xhuvani?

Ndihem shumë e privilegjuar që kam qenë aktorja e përzgjedhur e Gjergj Xhuvanit. Përherë ka qenë ëndrra ime, që të punoja në një projekt më të. Xhirimet kanë qenë shumë të gjata për shkak se kemi bërë xhirime në Kosovë, në Shqipëri dhe në Itali. Ka qenë një punë e gjatë, jo e lehtë, por mjaft e kënaqshme. Ne dje kishim premierën në Prishtinë. Prandaj bashkëpunimi me regjisorin dhe aktorët ka qenë një nga pikat që më ka bërë të ndihem vërtet mirë.

Po roli si është?

Roli im është mjaft kompleks dhe sfidues. Ka një anë dramatike, por ka dhe një zhvillim shumë të natyrshëm. Personazhi pëson një ndryshim rrënjësor, si karakter.

Mendon se nëpërmjet personazhit tënd arrin që të përfaqësosh femrën gjatë kohës sëluftës në Kosovë?

I përfaqësoj jashtëzakonisht shumë, sepse i kam përjetuar dhe vet bombardimet. Nuk besoj se ka qenë e rastësishme që regjisori më ka përzgjedhur mua të jem protagonistja e filmit. Gjatë gjithë xhirimit ndoshta kam pasur dhe emocione personale, që më kanë ndihmuar shumë në këtë rol. Çdo gjë mund të ketë qenë e menduar apo paramenduar, përsa i përket skenave, por unë i kam ndierë dhe në aspektin njerëzor. Personalisht unë i kam kaluar ato gjëra, normalisht me vështirësi shumë më të mëdha, sesa paraqiten në film. Kështu që, nëse në këtë rast kjo për mua ka qenë ngarkesë e fortë emocionale mendoj se kanë ndihmuar në realizimin e rolit, për shkak se e kam ndjerë dhe në akseptin njerëzor dhe profesional.

Konkretisht çfarë ke kaluar gjatë periudhës së luftës?

Filmi me jetën personale nuk kanë asgjë të përbashkët, përkundrazi është diçka tjetër, histori dhe karakter tjetër. Mirëpo aspekti i luftës, xhirimet që janë bërë për këtë pjesë, meqenëse unë vet i kam përjetuar këto, si bombardimet dhe shpërnguljet natyrisht që mund të them se në aspektin emocional nga ana njerëzore më kanë ndihmuar për ndërtimin e rolit. Emocionet i kam ndjerë jo vetëm nga ana profesionale, por dhe personale. Janë shumë gjëra që të rikujtohen dhe të ndihmojnë që ta realizosh rolin gjatë xhirimit.

Teuta, një ndër skenat më të komentuara në këtë film, janë ato nudo. Edhe pse në film, janëkomentuar si thyerje tabush. Por realisht ti çfarë mendon?

Përderisa ne jemi artistë nuk e di përse duhet që të diskutohet diçka e tillë. Unë jam aktore dhe nga momenti që e pranoj një rol, në asnjë moment nuk mund të sillem më si Teuta në rrethana të caktuara, mirëpo në ato rrethana është personazhi që prezantohet ashtu. Unë jam profesioniste, madje më duket banale që të diskutohet një skenë e tillë, e zhveshjes. Njeriu kur lahet hynë i zhveshur jo me rroba. Ajo skenë është aq mirë e mishëruar brendapërbrenda filmit, saqë arsyeton gjithçka, madje dhe në aspekt figurativ tregohet shumë mirë, si një lloj pastrimi i shpirtit të personazhit tim në film. Kështu që, pa atë skenë nuk do të ishte i kompletuar roli im. Unë jam aktore dhe prandaj nuk e quaj banale atë skenë. Është njësoj sikurse të shkosh te doktori për të bërë operim, por të thuash që nuk i heq rrobat.

Kohët e fundit ke qenë e angazhuar me shumë projekte; në film, teatër dhe në një emision televiziv. Por jeta personale si po ecën?

Jeta personale është shumë mirë. Jam në një lidhje dhe ndihem jashtëzakonisht shumë mirë. Jam e qetë shpirtërisht dhe po vazhdoj që të përjetoj ditë sa më të lumtura dhe të përmbushura me dashuri, kujdes dhe mbi të gjitha me përkrahje të pakushtëzuar në çdo aspekt. Prandaj jam jashtëzakonisht shumë mirë.

Familja

Vajza, Tara si është? A po ndjekë shembullin e prindërve në rrugën e artit?

Mirë është (qesh). Unë e kam marrë aty ku bëjmë kurse aktrimi, vallëzimi dhe pikture në Prishtinë. Tara vazhdon që të bëjë kurse aktrimi, dhe po shikoj një interesim shumë të madh tek ajo për artin. Mirëpo, unë nuk bëj pjesë tek ata prindër që duhet t’i imponoj diçka fëmijës tim. Kur të rritet kam dëshirë që të ketë një jetë të lumtur dhe të arrijë atë që ajo ka dëshirë. Jam e sigurt që e ardhmja e saj do të jetë në skenë, nëse jo në aktrim, ndoshta dhe në muzikë apo në balet. A tani është vetëm gjashtë vjeçe, por mendoj se aktivitetet për fëmijë janë shumë të mira, sepse i ndihmojnë që të eksplorojnë dhe të gjejnë veten atje ku duan.

Filmi: “Engjëjt janë larg”

Filmi “Engjëjt janë larg” (Distant Angels) pas premierës së djeshme në Prishtinë pritet gjë të prezantohet edhe në Shqipëri. Filmi flet për marsin e vitit 1999, kohën kur Nato bombardonte në Kosovë. Eksodi shqiptar filloi gjatë kësaj kohe. Terrori, frika, pasiguria dhe uria e pushtuan sidomos Gjakovën, që ishte në kufi me Shqipërinë. Narracioni i tregimit është ndërtuar me situata logjike dhe momente humori, erotizmi që në njëfarë mënyre largon rrethanat e vështira që kanë ekzistuar në këtë kohë. Filmi zhvillohet në dy vija paralele, që ndryshojnë dhe lidhen me kërcënimin, ku në fund, të gjithë protagonistët e filmit tregojnë fatin e tyre. Është një film për të gjitha moshat.

“Në këtë film, krahas gjuhës shqipe është dhe ajo italiane, sepse në njërin nga rolet kryesore është një prift nga Italia në një jetimore të Gjakovës. Lidhshmëria në këtë aspekt me Italinë është e madhe dhe mund të them se ky është bashkëpunimi më i madh kinematografik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”, është shprehur për mediet producenti, Fatmir Spahiu, duke shtuar se filmi “Engjëjt janë larg” ndonëse trajton luftën e fundit të ndodhur në Kosovë, shumë pak ka të bëjë me Shqipërinë, ndërsa dhe në këtë rast kjo e fundit mbetet shtet transit në këtë ngjarje, por autorët dhe disa aktorë në film janë nga shteti amë”. Producenti i filmit Fatmir Spahiu e ka përshkruar “Engjëjt janë larg”, si një film ambicioz i punuar nga një regjisor ambicioz shqiptar. Në rolet kryesorë të filmit luajnë: Rinaldo Rocco, Teuta Krasniqi, Nik Xhelilaj, Fatmir Spahiu, Ndriçim Xhepa etj. Filmi është xhiruar në vende të ndryshme, përfshirë edhe ato të Kosovës. Filmi “Distant Angels” i regjisorit dhe skenaristit Gjergj Xhuvani është bashkëprodhim i “On Produciton” nga Shqipëria dhe Buka production nga Kosova, producentë janë Dritan Huçi dhe Fatmir Spahiu.