Teuta: Dilema, mungesa dhe rikthime ndaj Bylisit

E publikuar: 02/10/2015 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Teuta rikthehet të luajë në shtëpi këtë fundjavë, aty ku ka një ecuri rekord me 100% të pikëve të fituara. Humbja në kryeqytet me Tiranën u pasua nga fitorja tenistike në Kupën e Shqipërisë me Adën, dhe tashmë “Niko Dovana” është kthyer në një kështjellë. Megjithatë përballë Bylisit nuk do të jetë e lehtë, jo vetëm për cilësitë që ka kundërshtari por edhe nga fakti se trajneri Gugash Magani në këto momente nuk e ka të plotë grupin e futbollistëve. Numri një i stolit të “Djemve të Detit” ka në dyshim për këtë sfidë djalin e tij Artur Magani, i cili pësoi një dëmtim javën e kaluar në ndeshjen me Tiranën në “Qemal Stafa”. Gjatë seancave stërvitore të kësaj jave Artur Magani ka kryer i diferencuar stërvitjen dhe pjesëmarrja e tij si titullar është në dyshim.

Mungesë e konfirmuar ndaj Bylisit është ajo e mesfushorit Meglid Mihani, i cili ka plotësuar numrin 3 të kartonave të verdhë. Kështu autori i golit në sfidën e parë ndaj Flamurtarit nuk do të japë kontributin e tij ndaj Bylis për t’u rikthyer në dispozicion ndaj Skënderbeut. Megjithatë lajmi i mirë për trajnerin Gugash Magani është rikthimi në skuadër i sulmuesit Eri Lamcja, që mungoi ndaj Tiranës për arsye familjare. Autori i golit të parë në fitoren ndaj Tërbunit pritet të udhëheqë sulmin e Teutës, në një sfidë që pritet të jetë e luftuar dhe shumë e vështirë.