Si bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Ibrahim Rugova e drejtues i QIK-ut, me shkrimet e veta Enver Maloku afirmoi idenë për Kosovën shtet më vete, që u bë frymë e veprim duke fituar përkrahje të gjerë popullore, ndërsa ende gjallonin te ne rrymat komuniste jugosllave e marksist-leniniste shqiptare. Si vetë Rugova, udhëheqësi shpirtëror e politik i luftës për çlirim, demokraci e pavarësi të Kosovës, Enver Maloku ndoqi me ngulm rrugën pragmatike të pavarësimit dukë bërë për vete mendjen dhe zemrën e njeriut shqiptar të Kosovës, duke i mbjellë këtij besimin në projektin e vështirë të shtetndërtimit në kohën e okupimit të egër serb.
Mallkim për jetën e tij të shkurtër u bënë besimi, guximi dhe fuqia e tij e argumentit, e cila shqiptohet sidomos te shkrimet e vitit 1998, të kohës së polarizimeve të mëdha ideologjike e politike në vlugun e luftës së Kosovës, që gjenden të botuara te libri “Gjuha e stuhisë” (2002), me një parathënie timen. U vra në atenatin e dytë, në janar të vitit 1999, pasi që i kishte shpëtuar të parit, në korrik të vitit 1998. Në këta gjashtë muajt e fundit të jetës së tij, që ishin kronikë e vdekjes së tij të paralajmëruar, Enveri ka lënë testamentin e vet, i cili gjendet i ruajtur te “Gjuha e stuhisë”.. Kështu profetizoi ai vitin e lirisë 1999 në shkrimin e mbramë të vitit 1998 („Viti i luftës 1998 dhe viti i lirisë 1999“): „Nga viti i luftës 1998, të shpresojmë se po kalojmë në vitin e lirisë 1999. Të gjallët le të jenë të lumtur se janë gjallë, pavarësisht prej dhembjes, pikëllimit e trishtimit… Le të gëzojnë dhe festojnë të gjallët që i pret një vit shumë i vështirë, viti i luftës dhe i lirisë. Gëzuar Vitin e Ri 1999, Vitin e lirisë.”
Ata që e kishin prerë mendjen t’ia merrnin jetën e ta parandalonin lirinë e Kosovës e vranë me breshëri plumbash para syve të familjes së tij. Por profecia e tij u përmbush, siç përmbushet një profeci antike: pashmangshëm.
Enver Maloku ka lënë trashëgiminë e vet të shkrimtarisë politike, atë lloj shkrimi analitik, kritik, argumentues, sublimues dhe orientues që na mungon sot, por edhe punën e madhe që ka bërë institucioni që ka drejtuar ai, Qendra për Informim e Kosovës (QIK) – portali www.kosova.com – që është dedunksionalizuar.
Enver Maloku i mungon familjes së vet, miqve, Kosovës. Kujtimi më i mirë për të sot është kujdesi për trashëgiminë e tij, duke përfshirë ringritjen e QIK-ut, për ç’gjë kam bërë thirrje vitet e fundit.
Muhamet Hamiti, profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës, ka qenë zëdhënës dhe këshilltar i Presidentit Ibrahim Rugova. Më vonë ambasadori i pare i Republikës së Kosovës në Londër.