Belgjika e ka rritur nivelin e sigurisë si asnjëherë më parë. Në rrugët kryesore të Brukselit ka një prani të madhe të forcave të policisë për shkak të kërcënimeve terroriste, por nga rreziku i atentateve të mundshme nuk përjashtohen as qytetet e tjera belge. Masat e marra nga autoritetet përfshijnë gjithashtu edhe futbollin pasi një prej ndeshjeve më të rëndësishme të së Enjtes në Europa League do të luhet me dyer të mbyllura. Sipas komunikatës zyrtare të forcave të rendit, ndeshja mes Club Brugge dhe Napolit do të luhet me dyer të mbyllura.
Fillimisht u planifikua që të mos lejohej hyrja e tifozëve italianë, por kryebashkiaku i qytetit vendosi që në stadiumin “Jan Breydel” të mos jetë i pranishëm asnjë mbështetës. Ky vendim mund të ndikojë jo pak në fatin e ndeshjes ku vendasit duhet të luajnë gjatë gjithë 90 minutave pa mbështetjen e tifozëve të tyre në një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit. Belgët renditen në vendin e tretë të Grupit D me 4 pikë, 2 më pak se Midtjylland kur do të luhen edhe dy raunde deri në fund të kësaj faze.