Terror në Teksas: vriten 5 policë gjatë protestave për vrasjen e dy personave me ngjyrë

E publikuar: 08/07/2016 10:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Katër persona kanë qëlluar 11 oficerë policie, duke vrarë të paktën 5 prej tyre, ndërsa 3 të tjerë janë në gjendje të rëndë. Sulmi i koordinuar erdhi me snajpera gjatë një proteste në Dallas të Teksasit, për vrasjen e dy personave me ngjyrë nga policët disa ditë më parë.

Tre nga snajperat janë arrestuar, ndërsa një tjetër po vazhdon të shkëmbejë zjarr me policinë. Ky person, i cili po qëndron i fshehur në një parkim, u ka thënë policëve se në Dallas “janë vënë bomba gjithandej” dhe se “fundi po afron”.

Një video e tmerrshme është postuar “online” dhe tregon një polic duke u përballur me një nga agresorët, i cili e qëllon duke e plagosur oficerin, e më pas e ekzekuton nga afër.

Nuk dihet nëse personat që qëlluan policinë ishin protestues, por duket se janë të stërvitur ushtarakisht. Nuk dihet ende as motivi i tyre.

Demonstratën e nxitën vdekjet e Philando Castile në Minesota dhe Alton Sterling në Luiziana. Protesta e Dallasit ishte një prej tubimeve të ngjashme të zhvilluara në mbarë Shtetet e Bashkuara kundër përdorimit të forcës letale të policisë ndaj afro-amerikanëve.

Philando Castile u qëllua për vdekje në makinën e tij pasi e kishin ndaluar për një stop të thyer, ndërsa Alton Sterling u vra edhe pse ishte i shtrirë në tokë e pa armë në dorë.

Të dyja rastet u filmuan, e pamjet e tyre rindezën akoma më fort atë që tashmë është kthyer në një debat kombëtar.

/ Top Channel