Tërnava: Termocentralet mund të furnizojnë deri 80% të kohës me rrymë, pjesa tjetër është import

E publikuar: 11/04/2025 20:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në emisionin EURO n’T7 është diskutuar se cilat janë arsyet që çuan në rritjen e tretë me radhë, brenda katër viteve, të tarifave të energjisë elektrike.

Ekspertë të fushës së energjisë kanë konstatuar se Kosova është me vite mbrapa me projekte energjetike dhe kjo ka varfëruar vendin në fushën e energjisë.

Trim Tërnava, ekspert i energjisë, ka thënë se në vitin 2022 dhe 2023 kemi pasur një rënie të konsumit të brendshëm, ku rreth 80% neto sigurohet nga termocentralet të cilat prodhojnë diku rreth 900 megavat orë, derisa në kohën e pikut, kryesisht gjatë dimrit, konsumimi i brendshëm shkon deri në 1500 megavat për orë.

Por sipas tij, ka edhe kohë kur KEK-u eksporton energji elektrike.

“Nëse i sheh raportet e ZRRE-së, e sheh që në disa periudha KEK-u edhe eksporton energji elektrike, që mund të jetë pak hutuese për qytetarët. Këtu problemi qëndron te çmimi, sepse dallimi kur ne eksportojmë dhe importojmë është shumë i madh. KEK-u zakonisht eksporton jashtë pikut, në orët e vona, ndërsa ne importojmë në kohët e pikut. Çmimi mesatar i importit në vitin 2023 është për 77% më i lartë sesa çmimi i eksportit të energjisë,” ka pohuar Tërnava.

Në anën tjetër, Tërnava ka shpjeguar se si KEK-u është i obliguar që gjithë energjinë e prodhuar t’ia shesë KESKO-s.

“KEK-u ia shet komplet prodhimin KESKO-s, i cili pastaj e ka për obligim furnizimin universal të gjithë Kosovës. KESKO e ka një licencë përmes së cilës e blen nga KEK-u komplet energjinë që ata e kanë në dispozicion dhe ua shet konsumatorëve me një çmim të rregulluar. Në kohën kur KESKO nuk ka nevojë, KEK-u e shet në bursë përmes tregtarëve. Mjetet që KEK-u i merr nga shitja e energjisë jashtë KESKO-s nuk u kthehen qytetarëve në tarifa, për shkak se KEK-u është kompani publike profitabile. Pra, KEK-u nuk ka obligim që me këto mjete t’i zbusë tarifat e energjisë elektrike,” ka shtuar Tërnava.

Ndryshe, Tërnava ka pohuar se ne nuk kemi kurrfarë sigurie në blerjen e energjisë së importuar dhe nuk kemi asnjë fuqi që ta kontrollojmë çmimin në bursë.

Kriza e madhe, sipas ekspertit të energjisë, ka filluar në vitin 2021, kur çmimet e energjisë arritën pikën më të lartë.